Valentino është vënë në shënjestër të kritikave pas publikimit të reklamës së saj më të fundit, e cila është krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale (AI).
Reklama promovon çantën DeVain, me çmim 1,590 £, e përshkruar nga shtëpia e modës si një “udhëtim përmes gjeometrive kaleidoskopike dhe imagjinatës së pastër”.
Në skenën hapëse, një modele bionde del nga brendësia e çantës së artë. Në një moment tjetër, ndoshta ndër më të çuditshmit, disa modele lidhin krahët në një mënyrë të pamundur për të formuar logon e Valentino-s.
Ndërsa marka e përshkruan videon si “surrealiste”, reagimet e publikut nuk kanë qenë aspak pozitive.
Në Instagram, komentet negative vërshuan:
“S’e besoja që llumi i AI do më dilte nga Valentino.”
“Thirrma hater, po kjo duket e lirë dhe totalisht jashtë imazhit të markës.”
“Prishja e trashëgimisë së një shtëpie mode është punë e vështirë… por po e shoh që keni vullnet.”
Reklama dhe frymëzimi i saj
Reklama është pjesë e një serie materialesh promovuese për çantën DeVain. Në total, nëntë artistë kanë bashkëpunuar në projekt, por pesë prej tyre — Enter The Void, Paul Octavious, Albert Planella, Animus Pax dhe Total Emotional Awareness — përdorën AI për të krijuar pjesën më të fundit.

Valentino e shoqëroi videon me përshkrimin:
“Një takim surrealist me çantën Valentino Garavani DeVain.
Për kapitullin e dytë të projektit DeVain Digital Creative, Total Emotional Awareness e zgjerojnë, shumëfishojnë dhe transformojnë çantën në një udhëtim përmes gjeometrive kaleidoskopike dhe imagjinatës së pastër.”
Reklama ka marrë mijëra reagime, shumica kritike.
“E dua produktin Valentino, por kjo është një rrëmujë e lirë dhe pa shije e bërë me AI,” shkroi një ndjekës.
Një tjetër komentoi: “Edhe pa e marrë parasysh që është AI, çfarë djalli është kjo?”
Madje dikush pyeti nëse marka ishte “hacker-uar”.
Jo rasti i parë në industrinë e modës
Edhe marka të tjera janë përballur me kritika për përdorimin e AI në reklama.
Në gusht, Guess u sulmua për një reklamë dyfaqëshe në revistën Vogue, e prodhuar nga një kompani e marketingut me AI.
Reklamat paraqisnin një modele me pamje perfekte dhe flokë të artë, e cila pozonte me veshje të ndryshme. Në anën e faqes shkruhej se pamjet ishin krijuar nga “Seraphinne Vallora on AI”.
Në rrjetet sociale, reagimet ishin të ashpra:
“Kjo është e trishtueshme. Ka kaq shumë modele reale që ëndërrojnë të jenë në Vogue, dhe ju ia jepni këtë mundësi AI-së…”
“Shumë shqetësuese. Nuk është ky drejtimi ku duhet të shkojë AI.”
“Standardi i bukurisë do bëhet i paarritshëm — sepse nuk është real.” /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...