Një studim i ri ka zbuluar se konsumimi i një ushqimi të përditshëm dhe shumë të zakonshëm mund të përmirësojë ndjeshëm kujtesën dhe qarkullimin e gjakut në tru tek të moshuarit.
Sipas kërkuesve, personat që konsumuan 60 gramë kikirikë të pjekur me lëkurë, pa kripë, çdo ditë për 16 javë, shënuan një përmirësim prej 5.8 për qind në kujtesën verbale, duke qenë më të aftë për të rikujtuar fjalë pas një pauze kohore.
Pse ndodh ky efekt?
Ekspertët thonë se meritën e kanë:
L-arginina, një aminoacid që rrit qarkullimin e gjakut në tru;
Përbërjet bioaktive në lëkurën e kikirikut, të cilat mbrojnë qelizat nervore;
Yndyrnat e shëndetshme dhe antioksidantët natyralë.
Rritja e qarkullimit të gjakut do të thotë më shumë oksigjen dhe lëndë ushqyese për trurin – faktor kyç për funksionet mendore dhe kujtesën.
Skanimet treguan se:
qarkullimi i përgjithshëm i gjakut në tru u rrit me 3.6%,
qarkullimi në lëndën gri u rrit me 4.5%,
ndërsa zonat kyçe për kujtesën dhe gjuhën shënuan rritje edhe më të lartë: 6.6% në lobin ballor dhe 4.9% në lobin temporal.

Detajet e studimit
Studimi nga Universiteti Maastricht përfshiu 31 të rritur të shëndetshëm të moshës 65–75 vjeç, pa sëmundje kardiovaskulare, diabet apo alergji ndaj kikirikëve.
Ai u zhvillua në dy faza:
Faza me ndërhyrje: pjesëmarrësit konsumuan 60 g kikirikë pa kripë çdo ditë për 16 javë.
Faza e kontrollit: për 16 javë nuk konsumuan as kikirikë, as produkte të ngjashme.
Mes dy fazave pati një pushim 8-javor.
Ky dizajn i lejoi shkencëtarët të krahasojnë drejtpërdrejt efektet te i njëjti person.
Performanca konjitive u vlerësua me teste kompjuterike të kujtesës, shpejtësisë së mendimit dhe zgjidhjes së problemeve, ndërsa qarkullimi i gjakut në tru u mat me MRI jo-invazive.
“U habitëm kur pamë përmirësime jo vetëm në zona të veçanta, por në gjithë trurin,” tha autori i studimit, Peter J. Joris, duke shtuar se kjo tregon një efekt më të gjerë në shëndetin vaskular sesa ishte parë në kërkimet e mëhershme.

Nuk shkaktoi shtim në peshë
Edhe pse kikirikët shtonin rreth 340 kalori shtesë në ditë, pjesëmarrësit nuk shënuan ndryshime të mëdha në peshë – ndoshta sepse kompensonin duke ngrënë më pak ushqime të tjera.
Për shkak se pjesëmarrësit e dinin kur po konsumonin kikirikë, rezultatet mund të jenë ndikuar nga vetë-perceptimi i tyre. Megjithatë, studiuesit që analizuan skanimet dhe testet nuk e dinin në cilën fazë ndodhej secili person.
Ndërsa lidhja mes konsumimit të kikirikëve dhe përmirësimit të funksioneve të trurit është e qartë, mekanizmi i saktë mbetet i paqartë.
“E rëndësishme është që kikirikët ishin të pjekur me lëkurë dhe pa kripë, pasi lëkura përmban shumë antioksidantë dhe fibra që mund të kontribuojnë në efektet pozitive,” përfundoi Joris. /GazetaExpress/