Zakone të këqija që fillojnë që nga fëmijëria mund të çojnë në obezitet, diabet dhe sëmundje të zemrës më vonë në jetë, sugjeron një studim i fundit.
Shkencëtarët në Penn State studiuan pothuajse 150 gra dhe foshnjat e tyre kur këto të fundit ishin dy dhe gjashtë muajsh.
Përmes pyetësorëve, ekipi pyeti nënat për zakonet e përditshme, si sa shpesh ushqenin foshnjat, sa kohë lojërash kishin gjatë ditës dhe kur zakonisht shkonin për të fjetur.
Rezultatet treguan se nëntë zakone të lidhura me ushqimin, gjumin dhe lojën kur foshnjat ishin dy muajsh ishin të lidhura me një indeks më të lartë të masës trupore (BMI) kur ato mbushnin gjashtë muaj.
Disa nga zakonet problematike përfshinin:
Përdorimin e biberonëve që ishin shumë të mëdhenj për foshnjat.
Ushqyerjen shumë shpesh gjatë natës.
Shkretimin për gjumë pas orës 20:00.
Gjithashtu, foshnjat që kishin prindër të angazhuar me telefonin ose televizorin gjatë lojës ishin më të predispozuar të ishin mbipeshë ose obezë.
Ndërsa shumë foshnja humbin yndyrën e tepërt me kalimin e kohës, shtimi i peshës gjatë gjashtë muajve të parë të jetës mund të ngadalësojë metabolizmin, duke rritur oreksin dhe vështirësuar humbjen e peshës më vonë.
Obeziteti kronik është një faktor rreziku për diabetin dhe sëmundjet e zemrës, e cila është shkaku kryesor i vdekjeve në SHBA, me më shumë se 1 milion viktima në vit.
“Që në moshën dy muajsh mund të shohim modele të ushqyerjes, gjumit dhe lojës që mund të formojnë trajektoren e rritjes së fëmijës,” tha Yinging Ma, autore kryesore e studimit dhe studente doktorature në Child Health Research Center, Penn State.
“Ky studim tregon rëndësinë e monitorimit të hershëm tek foshnjat, për të ndihmuar familjet të krijojnë rutina të shëndetshme, të parandalojnë shtimin e tepruar të peshës dhe t’u japin fëmijëve një fillim sa më të mirë në jetë.”
Studimi, i publikuar në JAMA Network Open, përfshiu 143 nëna dhe foshnjat e tyre, pjesë e programit WIC (Special Supplemental Nutrition Program for Women, Infants, and Children), i cili ofron ndihmë ushqimore për gratë dhe fëmijët.
Sipas studimit, nga 12 rutina të ndryshme të vrojtuara, nëntë të realizuara kur foshnjat ishin dy muajsh lidhen me BMI më të lartë dhe përqindje më të madhe të yndyrës kur foshnjat mbushnin gjashtë muaj.
Në kategorinë e gjumit, zakonet problematike përfshinin: shkuarjen për gjumë pas orës 20:00, zgjimin më shumë se dy herë gjatë natës, vendosjen për gjumë kur foshnja ishte tashmë e fjetur, dhe gjumin në dhomë ku ishte ndezur TV.
Sa i përket lojës, foshnjat me BMI më të lartë kishin prindër që përdornin telefonin ose shikonin TV gjatë lojës, ose që kufizonin aktivitetin fizik ose kohën në bark, e cila forcon muskujt e sipërm të trupit.
Ushqyerja e tepërt, zakonet sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik kontribuojnë në rritjen e peshës. Gjumi i keq rrit nivelet e hormoneve që stimulojnë oreksin, duke e bërë foshnjën më të prirur ndaj mbipeshës.
Ndërsa nuk është e qartë nëse foshnjat e studimit mbetën mbipeshë më vonë në jetë, hulumtimet tregojnë se gjashtë muajt e parë të jetës janë vendimtarë për metabolizmin dhe rrezikun e obezitetit.
“Me kohën e kufizuar gjatë vizitave pediatrike dhe ushqimore, është thelbësore të ndihmojmë ofruesit e kujdesit shëndetësor të fokusohen në atë që ka më shumë rëndësi për çdo familje,” tha Jennifer Savage Williams, autore e lartë e studimit dhe drejtoreshë e Child Health Research Center në Penn State. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...