Epistula e javës: Hegel për Niethammer, 7 maj 1809 - Gazeta Express
string(48) "epistula-e-javes-hegel-per-niethammer-7-maj-1809"

Arte

Gazeta Express

28/11/2025 16:10

Epistula e javës: Hegel për Niethammer, 7 maj 1809

Arte

Gazeta Express

28/11/2025 16:10

Georg Wilhelm Friedrich Hegel (Shtutgard, 27 gusht 1770 – Berlin, 14 nëntor 1831), filozof, historian, jurist dhe eseist gjerman. Friedrich Philipp Immanuel Niethammer (1766 – 1848), ka qenë teolog gjerman, filozof dhe reformues edukativ luteran.

Hegel to Niethammer [147] 

Nuremberg, 7 maj 1809 

Më duhet, miku im i dashur, t’ju falënderoj për dy letrat dhe t’ju kërkoj falje që kam mbetur mbrapa me përgjigjet e mia. Por me ju unë jam përgjithësisht mbrapa sa nuk mund të lahem me një letër të vetme. 

Në radhë të parë, askush nuk mundet t’ju urojë për faktin se keni shpëtuar nga forcat e armikut kaq fort sa unë. Duhet të ketë qenë një ditë vërtet e lumtur, jubilare. Vetëm se më duket se Munihu ka tepër përvoja të tilla të ditëve të çlirimit. Nga ana tjetër, çlirimi i kundërt i Friedrich Schlegelit me katolicizmin e tij të menduar për ne është bërë shkrumb e hi dhe ai duhet ta konsiderojë veten me fat nëse prej tij mbesin të çliruar vetëm trekëmbëshat. Derisa Schlegeli ka këtu shumë nga ai lloji – maskarenj të papunë dhe të pastrehë – ky llum, kryesisht të rinj të lënë rrugëve, e përshëndeten hedhjen në sulm të uhlanëve, të cilët u futën në Nuremberg me një “Jetë të gjatë vëllezërve tonë!” Zhurma ishte e padurueshme, por tingëlloi në të thatë dhe menjëherë u shua. Po tash besoj e kemi hequr qafesh atë turmë njëherë e përgjithmonë. Ju, së toku me të tjerët e seksionit të Munihut, do të jeni tash të ngarkuar me punën e re të vendosjes së një kapele të re organizative në një zonë të gjerë territoriale. Në të vërtetë, që të jetë me kohën, një kapelabërës lokal po iu bën oferta kapelave publike sipas modës së tashme, të cilat ai i quan “kapela organizative.” Nuk e kam idenë nëse pajis edhe me koka të reja organizative po ashtu, megjithëse kam dyshimet e mia për këtë.

Për ne në Nuremberg, meqë a fjala, lufta në Bavari erdhi krejt papritur. Gazetat nuk thonë asgjë rreth gjendjes së ushtrive. Krejt çfarë kishim ishin raportet private. Fare pak para se të shpërthenin armiqësitë, ushtarët nga Nurembergu ende po u shkruanin letra të afërmve të tyre këtu – me bollëkun më të dhimbshëm të lamtumirës së përjetshme dhe heqjes dorë nga shpresa që të takohen sërish – sa sipas raporteve të besueshme gjithçka ishte rregulluar me Austrinë, sa ata kanë marshuar drejt kufirit me Bavarinë para shumë kohësh dhe se tashmë ishin në Turqi, se tash janë vënë kundër turqve. Siç u mor vesh, ata njerëz as që kanë arritur te kufiri i Bavarisë! Kësodore ata e morën vetë Bavarinë për Turqinë dhe bavarezët e vjetër për myslimanë! Kjo është dëshmia më e fortë e nevojës së mësimit të gjeografisë së atdheut në shkollat fillore publike, ashtu që të parandalohen qorrollisjet e tilla në të ardhmen.

Me respektin për gjendjen e gazetave në Bamberg, letra juaj e parë ishte një ngushëllim i madh për mua. Më duhet t’ju jem edhe më mirënjohës për këtë letër, ngase miqësia juaj është sprovuar nga shëndeti i keq po aq sa nga pakëndshmëria e çështjes. Së fundmi kam dëgjuar nga (asistenti yt) Rossleri se herë pas here nuk jeni ndier mirë. E marr me mend se puna që ju është ngarkuar fatkeqësisht mund të mos jetë ndryshe: ju e flijoni veten në vend se neve (tu sacrificaris pro nobis). Verës, sidoqoftë, ju me gjasë do të rikuperoheni. Por zor se mund të marr guximin të zhgënjej veten me shpresën t’ju shoh së shpejti. Në ankthin e tij fillestar, Stutzmann shkoi në Lajpcig. Më ka shkruar para pak kohësh, sidoqoftë, se është kthyer në Erlangen dhe më ka kërkuar t’ju lutem të ripërtërini përpjekjet në favor të tij – çka, mësa shoh nga letra juaj e fundit, është e tepërt, duke qenë se ju tashmë jeni i dhënë pas mirëqenies së tij.

Ju jeni duke mbajtur gjallë shpresat tona se me kohë diçka do të bëhet për pamjen e jashtme të institucioneve lokale. Si po shkojnë punët në këtë aspekt? Tekembramja shumë gjëra që në fillim mendohej se ishin të padurueshme, me kalimin e kohës janë bërë vetëm të ndryshme, megjithëse njeriu kurrë nuk mësohet me to me tamam. Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë mbi të gjitha është se nuk ka autoritet lokal që disponon qoftë edhe me një shumë të vockël për ta plotësuar nevojën më urgjente. Nuk dua të flas më për tualetet. Tani, për shembull, dielli po shkëlqen në një numër klasash mbi librat e nxënësve, shkrimin, sytë; ose, nëse jo kjo, ata janë të ulur kështu që, duke shikuar fytyrën e mësuesit, shohin diellin literalisht më shumë se sa simbolikisht. Se është e pamundshme të bësh ndonjë gjë rreth telasheve të këtij lloji është një lloj i veçantë i pafuqisë vis-a-vis atij Fati të palëkundshëm dhe të gjithëpushtetshëm që njihet si rrjedha e gjërave. Ende më duket të ketë diçka paksa kundërthënëse te financimi i Nurembergut në mënyrë rutinore, sado që, që të jemi të sinqertë, asnjë qytet tjetër ose regjion nuk është më i përshtatshëm për këtë; se për një sistem së pari është e nevojshme që të themelohet ose krijohet para se ajo që ekziston të mirëmbahet në mënyrë rutinore. Institucionet e tjera të Mbretërisë mund zvarriten në një trajtim të tillë rutinor, ngase ato tashmë ekzistojnë. Por që ne po trajtohemi në atë mënyrë para lindjes sonë është bukur fort nga karakterin e Nurembergut, çka e lë të palindurin ashtu si edhe të sapolindurin të braktisur në të njëjtin fat. 

Por ajo që është më e domosdoshmja do të jetë pa dyshim për mua të marrim një asistent klerikal. Nuk mundem më pa një të tillë. Së fundmi ju ushqyet shpresat tona që të marrim një kod disiplinor. Po e pres me padurim. Dje mora një memorandum te rishitësi i librave shkollorë. E shoh se ajo që kam vërejtur në raportin tim të përgjithshëm – rreth librarive të tjera që shesin librat shkollorë jo më shtrenjtë se sa libraritë shkollore, të cilat i blejnë prej botuesve të tjerë – nuk ka pasur efekt. Nuk e them këtë thua se po prisja ndonjë rezultat, se jam familjar mjaftueshëm me praktikat e jetës biznesore – një porcion të vockël të së cilës e kam në dorë – që të di se asnjë rezultat nuk mund të pritet, por se duhet të veprojmë nga ndjenja e detyrës për hir të detyrës. Por nuk e kuptoj se si rektorët do t’i raportojnë nevojat e tyre për vitin e ardhshëm shkollor para mbarimit të gushtit, se provimet nuk kanë filluar ende, prandaj nuk mund të parashikohet regjistrimi për vitin e ardhshëm, as rritja e numrit të regjistrimeve.

Së fundmi më keni pyetur se kur mendoj se do të mund ta përfundoja një doracak të mësimit të filozofisë për gjimnaz. Po m’u dha kjo punë, nuk mund të premtoj se mund ta bëj para Pashkëve të ardhshme. Kur të shikoj më mirë dhe ta kem më të qartë cakun, atëherë do t’jua parashtroj një plan të përgjithshëm që ta vlerësoni dhe të vendosni paraprakisht. Do të flasim pra paskëtaj. 

Me (Gotthilt) Schubertin (profesor i shkencave natyrore dhe ish student i Schellingut dhe Hegelit) dhe (Johann) Kannein (profesor i historisë) më keni dërguar një palë njerëzish të mirë miqësia dhe shoqëria e të cilëve janë vlerë dhe të cilët janë mësimdhënës bukur të zotë për gjimnazet moderne. Meqë ra fjala, transferimi i gjimnazit modern dhe klasik në lokacione të ndara mund të jetë një përparësi thelbësore. Nuk do ta rëndojë gjimnazin tonë klasik që të ketë edhe ca të tjerë të këtij lloji. Mbretëria e Zotit nuk mund të fitohet thjesht me magjinë e fjalëve latine dhe greke.

Znj. von Jolli dhe von Siebein ju dërgojnë të falat më të përzemërta dhe posaçërisht zonjave më të mira. Burri të parës sapo është shkarkuar nga ushtria dhe do të vendoset me të shoqen në Mannheim. E dyta po shkon me shpresën t’ju vizitojë në Munih. Kur mund ta gëzoj unë një fat të tillë? Pushimet tona do të nisin pas një jave; nëse ky do të ishte faktori i vetëm përcaktues, atëherë do të isha pranë jush sa hap e mbyll sytë. Kaq për tash, si gjithmonë, përshëndetjet e mia më të përzemërta për zonjat më të mira dhe për Juliusin ashtu si edhe për ju. Juaji, Hegel

/Marrë nga Hegel, “The letters”, Indiana University Press, 1984

/Gazeta Express