Për nder të 28 Nëntorit, festës së Flamurit, Valon Murati ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, ka folur lidhur me arritjet e Shqipërisë, ngecjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit institucional mes dy republikave shqiptare.
Murati vlerësoi arritjet e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe u shpreh se Kosova ka ngecur në arenën globale për shkak të mosharmonizimit të qëndrimeve me SHBA dhe BE.
Ai deklaroi se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy republikave janë më të forta se kurrë, por bashkëpunimi politik ka çaluar, duke përmendur edhe moskiminë e dy kryeministrave.
Muratit propozoi krijimin e institucioneve të përbashkëta shqiptare, në stilin e Bashkimit Evropian, për të garantuar realizimin e projekteve mbarëshqiptare dhe thellimin e integrimeve kombëtare.
Ai përfundoi intervistën për “Front Online” duke theksuar rëndësinë e 28 Nëntorit si simbol të unitetit shqiptar dhe të projektit kombëtar që nis nga Rilindja Kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit.
Cilat konsideroni se janë arritjet më të mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve të fundit?
Shqipëria ka një ngritje të jashtëzakonshme të peshës së saj në skenën rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo peshë është në mënyrë disproporcionale më e madhe sesa madhësia dhe forca e saj reale.
Viteve të fundit ajo është bërë një pikë reference në rajon, me mbajtjen e samiteve evropiane e rajonale si dhe me zgjedhjen për herë të parë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2021-2023. Mbajtja e Samitit të NATO-s në vitin 2027 është një shenjë e rritjes së peshës së saj diplomatike.
Si rezultat e kemi një Shqipëri me fytyrë tjetër në botë, e që po ecën me hapa të shpejtë drejt BE-së. Fatkeqësisht viteve të fundit kemi ngecje të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Për shkak të mos harmonizimit të qëndrimeve me SHBA-të dhe BE-në, marrëdhëniet me to janë në pikën më të ultë e po ashtu marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare janë larg të dëshiruarës.
Ne në vend se të shfrytëzojmë këtë pozicion të Shqipërisë, dhe të ecim krah për krahu e jo pse edhe bashkërisht, kemi mbet në vendnumëro me rrezikun e izolimit.
Të arriturat e Kosovës në skenën ndërkombëtare lidhen me periudhën e pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjeve të saj dhe anëtarësimit në atë kohë në organizatat ndërkombëtare.
Sa janë afruar dy shtetet në aspektet ekonomike, infrastrukturore dhe kulturore?
Dy republikat tona në planin e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturor janë më afër se kurrë më parë. Normalisht duhet të bëhen hapa cilësor që ky bashkëpunim të thellohet. Është inkurajuese se marrëdhëniet tregtare dhe investimet e dyanshme kanë shkuar duke u rritur nga viti në vit.
Kjo natyrisht është duke i shndërruar vendet tona në partnerët gati kryesor tregtar dhe ekonomik të njëri-tjetrit, që është e natyrshme, por është dashur kohë të ndodh edhe për shkak të ndarjes së gjatë dhe mendësisë së krijuar nga kjo ndarje.
Si do ta vlerësonit bashkëpunimin mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në vitet e fundit?
Nëse raportet në mes të dy shoqërive tona intensifikohen si në planin e biznesit, medias, kulturës, projekteve të përbashkëta në arsim, por edhe në planin ndërnjerëzor, bashkëpunimi në mes të dy qeverive ka çaluar kohëve të fundit.
Një sërë faktorësh kanë ndikuar këtu, e mbi të gjitha, kimia e dy kryeministrave Kurti dhe Rama, nuk ka ecur si duhet.
Proceset e rënda në të cilat ka kaluar Kosova, bisedimet dhe marrëveshjet me Serbinë, projekti i Ballkanit të Hapur, përzierja direkte e kryeministrit në detyrë në zgjedhjet në Shqipëri, përfshirja e kryeministrit Rama në propozimet për asociacionin e komunave serbe, kanë ndikuar që marrëdhënia e dikurshme që dukej se funksiononte, të prishej.
Cilat hapa konkrete duhet të ndërmarrin të dyja qeveritë për të thelluar bashkëpunimin?
Në mënyrë që bashkëpunimi të mos mbetet peng i politikanëve dhe qeverive që vijnë e shkojnë, ai do të duhej të vendosej në baza institucionale. Të merret shembull Bashkimi Evropian, Këshilli Nordik (shtetet skandinave) apo Beneluksi në këtë fazë.
Çka do të nënkuptonte kjo. Jo më vetëm takime të të dyja qeverive e marrëveshje, të cilat duhet të realizohen me shumë mund.
Në këtë fazë do të duhej të krijonim institucione të përbashkëta, diçka si Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së etj.
Të krijojmë institucionet të përbashkëta (është krijuar një Sekretariat që nuk ka funksionuar), me buxhet, me administratë të cilat detyrë kryesore e kanë promovimin e projekteve mbarëshqiptare (ku mund të futen edhe pjesët e tjera të kombit), krijimin e standardeve të përbashkëta në të gjitha fushat (e lehtë për shkak të integrimeve evropiane), politikave të përbashkëta ekonomike, arsimore, shëndetësore, të sigurisë, kulturore etj.
Këto institucionet të vendosen ta zëmë në Shkodër dhe Prizren dhe të përbëjnë bërthamën e administratës që do të merret dhe do të punojë për interesat mbarëshqiptare (siç punon administrata e BE-së në Bruksel për interesat evropiane). Pa këto institucione, kur ministrat dhe kryeministrat kthehen në kryeqytetet përkatëse jo çdoherë i kanë prioritet marrëveshjet e përbashkëta, për shkak të dinamikës së punëve të përditshme.
Me një hap të tillë ne do të shtronim rrugën për thellimin e integrimeve kombëtare. Kështu nga partneriteti strategjik do të ecnim drejt integrimeve, e nga integrimet kur të krijoheshin kushtet në bashkim.
Çfarë mesazhi do të kishit për qytetarët me rastin e 28 Nëntorit?
28 Nëntori është data më e madhe për shqiptarët. Vërtet jo çdo gjë u rikuperua nga lindja e vështirë e vitit 1912. Vërtet jo çdo gjë është edhe sot në vendin e vet. Por shqiptarët janë më mirë se kurrë më parë. Shqipëria me hapa të shpejt po i afrohet familjes evropiane dhe po e bën krenar çdo shqiptar me të arriturat e saj.
Kosova pas gati një shekull lufte të paprerë pa dritën e lirisë me mundësi të jashtëzakonshme që po ashtu të ec përpara, pse jo krah për krah me Republikën e Shqipërisë.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë më mirë se që kanë qenë, por jo aty ku duhet të ishin dhe ka rrezik se me qeverinë e re pozita e tyre mund të pësojë degradim. Shqiptarët në
Mal të Zi janë me vështirësi e më së keqi janë ata në Kosovën Lindore, e për të drejtat e nëpërkëmbura nga Serbia të të cilëve cilët kanë obligim të kujdesen dy republikat tona, e sidomos do të duhej të ishte e vëmendshme Kosova në procesin e dialogut me Serbinë.
28 Nëntori është data në të cilën filloi jetën e vështirë shteti i cunguar shqiptar, e që ishte hap i rëndësishëm i rrugëtimit të projektit politik shqiptar i nisur nga Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, i vazhduar me pavarësinë e Kosovës e i cili do të përfundojë, kam besimin e plotë me bashkimin e shqiptarëve si alternativa e vetme e sigurt ndaj kohëve të turbullta në të cilat po jetojmë.