Seanca në Komunë për buxhetin, Rama: Asnjë kalkulim politik, fondet veç për funksionalizimin e ndërmarrjeve - Gazeta Express
string(104) "seanca-ne-komune-per-buxhetin-rama-asnje-kalkulim-politik-fondet-vec-per-funksionalizimin-e-ndermarrjeve"

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 15:31

Seanca në Komunë për buxhetin, Rama: Asnjë kalkulim politik, fondet veç për funksionalizimin e ndërmarrjeve

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 15:31

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendin Komunal të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026, tha se aty janë mbledhur për vendime të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Rama tha se në situatën e ndjeshme financiare e institucionale në të cilën ndodhen, fondet që po i shqyrtojnë sot do të jenë në shfrytëzim për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit, raporton Gazeta Express.

“Para nesh janë dy vendime thelbësore për funksionimin normal të kryeqytetit. Kemi bartjen e mjeteve nga viti paraprak me vlerë prej 28 milionë eurove dhe votimin e buxhetit për vitin 2026. Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale, prioritet absolut janë qytetarët e kryeqytetit. Asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot do të shfrytëzohen menjëherë për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit”, tha Rama.

Ai sërish përcolli thirrjen për ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që të miratojë mjetet për buxhetin e Prishtinës.

“Kërkoj publikisht që po ashtu edhe fondet prej 35 milionë eurove ku 25 janë të hyra vetanake dhe 10 milionë janë grant qeveritar të cilat u takon qytetarëve me ligj që nuk kërkojnë procedura në asamble, por vetëm vullnet për miratim nga ana e ministrit në detyrë, pra edhe ato të bëhen të mundshme për t’u shfrytëzuar nga kryeqyteti dhe mos të zvarriten më tej”

Rama u zotua se do të jetë i pranishëm “në çdo veprim që garanton pagat e punëtorëve, funksionimin e ndërmarrjeve publike dhe shërbimet për çdo qytetar të kryeqytetit. Këtu nuk mbrojmë interesat partiake, këtu mbrojmë interesin e kryeqytetit dhe qytetarëve”.

Në rend dite Kuvendi Komunal ka dy pika:

1.Propozim-vendimi për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025;

2.Propozim-vendimi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026.