“Karta e Kurtit”, rizgjim i artit politik - Gazeta Express
string(38) "karta-e-kurtit-rizgjim-i-artit-politik"

Arte

Gazeta Express

27/11/2025 14:47

“Karta e Kurtit”, rizgjim i artit politik

Arte

Gazeta Express

27/11/2025 14:47

Në kuadër të kampanjës së artit politik #ArtistsShouldnotSupportPopulistAndAuthoritarianPoliticians, ndërhyrja artistike “Karta e Kurtit” është revoltë artistiko-politike ndaj instrumentalizimit të institucionit të Presidencës nga pushteti populist dhe autoritar për krijim të avantazhit elektoral. Ndërhyrja artistike e vendos në qendër aktin e fundit politik në Kosovë: Presidenten Vjosa Osmani, të shndërruar në kartë të Albin Kurtit për të caktuar zgjedhjet më 28 dhjetor.

Metafora e ndërhyrjes është një dekonstruksion i kartës së lojës: logoja e institucionit të Presidencës kthen simbolin e “fatit” të kartës origjinale në simbolikën e pushtetit si kartë e Kurtit në garë. Ky zëvendësim shfaq zhvendosjen e rolit të Presidentes: nga figurë kushtetuese e pavarur, në instrument politik të kalkuluar. Në vend të shkronjës “Q”, bazuar mbi arketipin vizual të Mbretëreshës, rikonceptualizohet artistikisht dhe rikodohet politikisht në “V”, ikonografia e Vetëvendosjes, por njëkohësisht iniciali i Vjosës, duke demonstruar mënyrën se si identiteti personal i Presidentes dhe autoriteti i saj institucional janë konvertuar në kapital elektoral të një partie. Fytyra e Presidentes, e vendosur aty ku karta duhet të mbajë figurën e saj autonome, riportrëtizohet si objekt, jo si autoritet, por si figurë e lëvizur nga dora e lojtarit hileqar. Alegorikisht, lojës së bixhozit politik të Kurtit, në tavolinën e demokracisë, si lojtari që, përtej rregullave të tavolinës, e nxjerr kartën nën mëngë, atë të Vjosa Osmanit, për t’ia kthyer lojën në favor të tij.

Në këtë kontekst, ndërhyrja artistike “Karta e Kurtit” e artikulon vendimin e Presidentes për datën e zgjedhjeve jo si akt institucional të pavarur, por si lëvizje taktike brenda bixhozit politik të Albin Kurtit. Ky akt, përtej formës juridike, përmban thelbin e një strategjie: sigurimin e avantazhit përmes shfrytëzimit të një institucioni që në teori duhet të qëndronte mbi lojën, por që në praktikë u vendos nën tavolinë si kartë e luajtur.

Si i tillë, 28 dhjetori nuk ishte vendim administrativ, por veprim strategjik i maskuar si procedurë, në një kohë kur pritet ardhja e diasporës, e projektuar nga pushteti si elektorat i predispozuar për rikthimin e hegjemonisë. Në fakt, vendimi nuk ishte as veprim institucional; ishte kalkulim elektoral, një lëvizje e planifikuar për të manipuluar rezultatin përmes votës së diasporës. Dhe karta që e bëri të mundur këtë lëvizje ishte vetë Presidentja.

Në taktizimin e lojës së Kurtit, diaspora luhet vetëm në funksionin elektoral të algoritmit qeverisës, një llogaritje që i shërben strategjisë së tij për të maksimizuar probabilitetin e rikthimit në pushtet. Strategjikisht, diaspora në këtë lojë kalkulohet vetëm brenda numëratores së pushtetit të strategut dështak: vetëm si numër dhe garanci aritmetike nga jashtë, duke u llogaritur si mekanizëm matematikor votash në skemën numerike të lojës për legjitimimin e pushtetit që kërkon të mos humbë kurrë dhe të liderit që pretendon të fitojë me çdo kusht.

Ndërhyrja artistike e vendos këtë fenomen në hartën më të gjerë të politikave populiste të regjimeve autoritare, ku liderët autokratë kërkojnë të rishkruajnë rregullat e lojës duke manipuluar procedurat demokratike. Kështu, karta e modifikuar artistikisht shndërrohet në metaforë të shtetit të instrumentalizuar, një shtet ku institucionet nuk janë lojtarë të pavarur, por pjesë të dorës së të njëjtit lojtar.

“Karta e Kurtit” trajton edhe rrezikun strukturor, skenari i së tashmes në Kosovë rezonon me modelet globale të kapjes së shtetit, ku autokratët dhe populistët e kapin shtetin përmes kontrollit të institucioneve kyçe. Gjithashtu, është paralajmërim për “demokracinë strategjike”, të cilën e demaskon në mënyrë alegorike, duke rikujtuar se kur institucionet shndërrohen në karta të lojës së liderit, demokracia kthehet në bixhoz dhe qytetarët mbeten spektatorë të një loje ku fitorja është e paracaktuar nën tavolinë.

Në thelb, ndërhyrja artistike është një protestë vizuale kundër kësaj simbioze politike, një akt estetik që ndërhyn në imazhin e autoritetit për ta çmontuar nga jashtë-brenda. Është thirrje për reflektim qytetar, sepse demokracia ka kuptim vetëm kur rregullat vlejnë njësoj për të gjithë dhe kur asnjë lojtar nuk mund të hedhë nën tavolinë kartën që vendos fatin e të gjithëve.

Artist: I Am I

2025