Begaj falënderoi ambasadorët e Panamasë dhe Indonezisë për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtare - Gazeta Express
string(142) "begaj-falenderoi-ambasadoret-e-panamase-dhe-indonezise-per-njohjen-e-kosoves-dhe-mbeshtetjen-e-anetaresimit-te-saj-ne-organizmat-nderkombetare"

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 11:21

Begaj falënderoi ambasadorët e Panamasë dhe Indonezisë për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtare

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 11:21

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pranuar dje Letrat Kredenciale nga dy diplomatë të rinj, ambasadori jo rezident i Panamasë në Tiranë, Winston Spadafore F., dhe Ambasadorja e re jo rezidente e Indonezisë në Shqipëri, Listiana Operananta.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Shqipërisë, gjatë takimit me Ambasadorin e Panamasë, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe diskutoi mundësitë për konkretizimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Kreu i Shtetit falënderoi diplomatin panamez për “njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtare”, një çështje që Shqipëria e konsideron prioritet të politikës së saj të jashtme.

Në takimin e veçantë me Ambasadoren e Indonezisë, Presidenca bëri të ditur se biseda u fokusua në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit shumëpalësh. Njoftimi nënvizon se pas hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Xhakarta, Shqipëria mirëpret hapjen e ambasadës indoneziane në Tiranë, një hap që do të forconte lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Presidenti Begaj kërkoi gjithashtu “rishikimin e qëndrimit të Indonezisë lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, duke i dhënë çështjes së Kosovës një rol qendror në dialogun dypalësh.

Shqipëria ka ndjekur aktivisht politikën e forcimit të marrëdhënieve me vendet jo-evropiane, veçanërisht me ato që kanë peshë në organizatat ndërkombëtare.

Njohja dhe përkrahja ndërkombëtare e Kosovës vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të diplomacisë shqiptare. Panamaja e ka njohur shtetin e Kosovës prej vitesh, ndërsa Indonezia, një vend me ndikim të madh në Azi dhe në botën myslimane, ende nuk e ka ndërmarrë këtë hap, duke e bërë dialogun me Xhakartën një prioritet të rëndësishëm diplomatik.