Shtetet e Bashkuara do të ndalë menjëherë të gjitha kërkesat për imigrim që lidhen me Afganistani, pasi një shtetas afgan plagosi dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare afër Shtëpisë së Bardhë më 26 nëntor.
Ata janë në gjendje kritike.
I dyshuari, që është plagosur gjatë këmbimit të zjarrit para se të arrestohej nga një tjetër pjesëtar i Gardës, është identifikuar nga autoritetet amerikane si Rahmanullah Lakanwal, 29-vjeçar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili gjendej në pronën e tij në Floridë në kohën e sulmit, publikoi një video-mesazh në Truth Social mbrëmjen e 26 nëntorit, duke e cilësuar sulmin si “akt të ligë, akt të urrejtjes dhe akt të terrorit”.
Sipas Trumpit, i dyshuari kishte shkuar në SHBA në shtator të vitit 2021 me një “nga ato fluturimet famëkeqe” – duke iu referuar evakuimit të afganëve pasi talibanët morën kontrollin pas tërheqjes së SHBA-së.
Ai po ashtu tha se administrata e tij do të “rishkojë” të gjithë afganët që shkuan në SHBA gjatë presidencës së Joe Bidenit. Agjencia për Shtetësinë dhe Imigracionin e SHBA-së më vonë konfirmoi në X se “menjëherë, përpunimi i të gjitha kërkesave të imigracionit që lidhen me shtetasit afganë ndërpritet, duke pritur rishikimin e mëtejshëm të protokolleve të sigurisë dhe verifikimit. Mbrojtja dhe siguria e atdheut tonë dhe e popullit amerikan mbetet fokus dhe misioni ynë kryesor”.
Disa media amerikane raportuan se Lakanwal kishte shërbyer në ushtrinë afgane për një dekadë, duke mbështetur forcat speciale amerikane në atë kohë.
Sulmi i 26 nëntorit, që ndodhi pranë një stacioni metroje disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, pritet gjithashtu të rikthejë vëmendjen te vendimi kontrovers i Trumpit për të dislokuar Gardën Kombëtare në disa qytete kryesore të SHBA-së, pasi ai ka thënë se po tenton që të ulë nivelin e krimit në mbarë vendin.
Si përgjigje ndaj të shtënave, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se në kryeqytetin amerikan do të dërgohen edhe 500 trupa të Gardës Kombëtare. Në Uashington, veçse janë vendosur mbi 2.000 trupa të Gardës.
Kryetarja e Uashingtonit, Muriel Bowser, e cila ka pasur hapur mosmarrëveshje me administratën e Trumpit për vendosjen e Gardës Kombëtare në kryeqytet, e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm dhe të papranueshëm” dhe shtoi se “i dyshuari ndodhet në paraburgim për këtë sulm të qëllimshëm dhe do të ndiqet penalisht”. /REL/
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...