28 Nëntori bashkon Policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë në aktivitet festiv - Gazeta Express
string(75) "28-nentori-bashkon-policine-e-kosoves-dhe-te-shqiperise-ne-aktivitet-festiv"

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 9:59

28 Nëntori bashkon Policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë në aktivitet festiv

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 9:59

Për nder të Festës së Flamurit dhe 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Sindikata e Policisë së Kosovës dhe Sindikata e Policisë së Shqipërisë organizuan një aktivitet sportiv të përbashkët, në bashkëpunim të ngushtë me të dy policitë shtetërore.

Ngjarja sportive u mbajt në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë në Tiranë. Në ndeshjen miqësore të futbollit të vogël mes ekipeve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, sportistët treguan disiplinë, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke dëshmuar se vlera kryesore e aktivitetit ishte vetë gara dhe festimi i përbashkët i kësaj dite të shenjtë kombëtare.

Para nisjes së aktivitetit, kryetarët e dy sindikatave, Avdi Hoti dhe Sadedin Fishta, së bashku me stafin menaxhues, u pritën në një takim zyrtar nga Rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Dr. Ilirjan Mandro. Gjatë takimit u theksuan mesazhe të forta bashkimi, bashkëpunimi dhe rëndësia e kremtimit të përbashkët të festave mbarëkombëtare.

Ky organizim edhe një herë dëshmoi se sporti mbetet urë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve, ndërsa sportistët janë ambasadorët më të mirë të frymës së partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësve të të dy ekipeve iu shpërndanë medalje nderi, si mirënjohje për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të dedikuar festës së 28 Nëntorit.