Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për mjetet vetanake dhe buxhetin e vitit 2026. Seanca do të fillojë nga ora 15:00.
Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si dhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.
Asamblistët e Vetëvendosjes kanë thënë do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe do të votojnë pro bartjes së të hyrave vetanake të kryeqytetit.
Asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi, ka thënë se është në dorë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të vlerësojë nëse vendimet e Kuvendit janë ligjore apo jo.
Ai tha se si parti nuk kanë qenë asnjëherë bllokuese në Kuvend.
“MAPL-ja është ajo që e vlerëson çdo vendim të Kuvendit nëse është ligjor apo jo. Qëndrimi ynë është që për këtë pikë do të marrim pjesë në seancë. Është një mbledhje e thirurr shumë vonë. Këtë z.Rama ka mundur ta bëjë edhe në muajin tetor, edhe në shtator, kur nuk do të kishte polemika të tilla fare”, tha Azemi.
Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.
Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privat kanë thënë se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.
Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, tha dje se mbledhja e sotme është legjitime dhe nëse nuk do të arrihet një rezultat, paralajmëroi vazhdimin e grevës
“Nëse nuk ka zgjidhej, greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që është ndaj operatorëve. Ne po shpresojmë që nesër do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotërojë arsyeja”, tha ai.
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...