Shkencëtarët kanë regjistruar për herë të parë dëshminë e drejtpërdrejtë të materies së errët, substancës misterioze që përbën më shumë se një të katërtën e universit.
Duke përdorur teleskopin Fermi të NASA-s, studiuesit kanë kapur një rrezatim të fuqishëm gama që vjen nga një strukturë në formë halo-je rreth galaktikës tonë, Rruga e Qumështit. Sipas frekuencës dhe intensitetit të tij, ky rrezatim mund të jetë materie e errët.
Prof. Tomonori Totani nga Universiteti i Tokios, autori i studimit, tha për Daily Mail se ky imazh i çuditshëm është hera e parë që njerëzimi mund ta “shohë” substancën misterioze.
Për rreth dy dekada, shkencëtarët kanë njohur një rrezatim gama që vjen nga qendra e Rrugës së Qumështit, i njohur si GC excess. Por “sinjali i halo-së” rreth galaktikës nuk ishte parë kurrë më parë. Prof. Totani shpjegon:
“Ndërsa rrezatimi GC është i përqendruar në qendrën e galaktikës, sinjali im i halo-së përhapet në mënyrë të hollë në të gjithë rajonin. Mendoj se kjo tregon fuqimisht rrezatim nga materia e errët.”

Materia e errët është ajo që shpjegon gjithçka, nga rrotullimi i galaktikave deri te zgjerimi i universit. Por, deri tani, ajo është vëzhguar vetëm indirekt, duke matur efektet e saj gravitacionale.
Si funksionon dhe pse është e rëndësishme
Shumë shkencëtarë besojnë se materia e errët përbëhet nga pjesëza masive që ndërveprojnë dobët (WIMPs). Këto pjesëza janë më të mëdha se protonet, por nuk ndërveprojnë me materien normale, duke i bërë pothuajse të pamundura për t’u zbuluar. Kur dy WIMPs përplasen, ato shkatërrohen duke çliruar një shpërthim fotonësh në formën e rrezatimit gama.

Duke analizuar 15 vjet të dhëna nga teleskopi Fermi, Prof. Totani vuri re një strukturë të madhe halo-je që lëshon rreze gama me energji jashtëzakonisht të lartë, duke filluar nga qendra e galaktikës — pikërisht aty ku studimet e mëparshme parashikonin përqendrimin më të madh të materies së errët.
Ai shton:
“Duke parë direkt rrezet gama të çliruara nga materia e errët, unë mendoj se kjo mund të konsiderohet një ‘vëzhgim i drejtpërdrejtë’.”
Shumë fuqi, por jo yje apo vrima të zeza
Sinjali i halo-së është 10 herë më i fuqishëm se rrezatimi GC dhe i përhapur më gjerësisht. Nuk ka lloje të njohura yjesh apo vrimash të zeza që prodhojnë këtë energji. Sipas Dr. Moorts Muru, ekspert për materien e errët në Leibniz Institute for Astrophysics, ky sinjal mbështet fuqishëm hipotezën e materies së errët.

Megjithatë, disa shkencëtarë mbeten skeptikë. Prof. Joe Silk nga Johns Hopkins University thotë se pretendimi është i parakohshëm, duke argumentuar se rrezet gama mund të jenë rezultat i një shpërthimi të madh nga vrima e zezë qendrore e galaktikës para 10 miliardë vjetësh, që krijoi strukturat e njohura si Fermi bubbles.
Në punimin e tij, i publikuar në Journal of Cosmology and Astroparticle Physics, Prof. Totani pranon se do të duhen vëzhgime të tjera për të provuar nëse ky është vërtet rrezatim nga materia e errët. Nëse rajonet e tjera të pasura me materie të errët, si galaktikat e xhuxhve, shfaqin të njëjtin sinjal, kjo do të ishte një provë e fortë.


Çfarë është materia e errët?
Peshon rreth 6 herë më shumë se materia e dukshme dhe përbën rreth 27% të universit.
Nuk ndërvepron me forcën elektromagnetike, pra nuk thith, reflekton ose lëshon dritë, duke e bërë shumë të vështirë për t’u zbuluar.
Eksistenca e saj është vënë re deri tani vetëm përmes efekteve gravitacionale mbi materien e dukshme.
Nëse ky sinjal halo-je konfirmohet, mund të shënojë një hap historik drejt vëzhgimit të drejtpërdrejtë të materies së errët — një nga misteret më të mëdha të universit. /GazetaExpress/
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...