Bosnja s’e lejon të aterojë në Banjallukë avionin ushtarak të ministrit të Jashtëm të Hungarisë - Gazeta Express
string(94) "bosnja-se-lejon-te-ateroje-ne-banjalluke-avionin-ushtarak-te-ministrit-te-jashtem-te-hungarise"

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 17:15

Bosnja s’e lejon të aterojë në Banjallukë avionin ushtarak të ministrit të Jashtëm të Hungarisë

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 17:15

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës nuk ka pranuar ta lejojë një avion ushtarak – i cili po e barte ministrin e jashtëm të Hungarisë – të ulej në Republikën Sërpska të Bosnjës të mërkurën, duke thënë se Budapesti e kishte mbështetur liderin serb të Bosnjës në veprime që minonin sovranitetin e vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez, tha se Hungaria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim pse ministri i jashtëm Peter Szijjarto ndodhej në avionin që kërkonte të ulej në Banjallukë, qytetin kryesor të entitetit serb në Bosnje.

Szijjarto e vizitoi Serbinë fqinje të mërkurën për të biseduar për hollësitë sesi Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas ndalimit të furnizimeve me naftë të papërpunuar nga Kroacia.

Helez tha se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Szijjarto kishin mbështetur hapur liderin separatist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, në veprime që “minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnje e Hercegovinës”.

“Si ministër i Mbrojtjes së Bosnjës, detyra ime është t’i mbroj rendin kushtetues, ligjet dhe interesin e Bosnjës”, shkroi Helez në një postim në Facebook.

“Prandaj, kam vendosur të mos e miratoj këtë fluturim derisa të sigurohet transparencë e plotë dhe respekt ndaj shtetit tonë”, tha ai.

Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.

Dodik është mburrur me mbështetjen që Orbani ia ofronte politikave të tij.

Ai dhe aleati i tij, Sinisha Karan, i cili i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska gjatë fundjavës, u takuan me Orbanin në Budapest të mërkurën./REL/