Shqyrtimi dhe miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe numrit maksimal të votuesve për vendvotim, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ishte temë e debatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kërkoi që të gjitha qendrat e votimit të hidhen në votim si tërësi.
“Konsideroj se nuk është trajtuar drejt nga kryesuesit kjo çështje. Asnjë qendër votimi nuk ndahet në pjesë të ndryshme; kemi të bëjmë me qendra të votimit në ambiente diplomatike. Janë caktuar me qëllim të përfshirjes më të madhe të qytetarëve. Për shembull, në Frankfurt kemi vendosur që të votojnë 2000 persona; ne kemi qenë atje dhe qendra e votimit ka qenë në katin e 7-të, ku kanë votuar rreth 1650 persona. Disa adresa janë refuzuar që të jenë qendra votimi pa arsye të bazuar, ndërkohë që dje u tha se po mbrohet integriteti i procesit, por u pa se po bëhet e pamundur pjesëmarrja e mërgatës. Nuk mund t’ua pamundësoni njerëzve të votojnë duke mbyllur qendrat që i plotësojnë kriteret teknike. Prandaj, kërkoj që propozimi im të merret parasysh si dje: të gjitha qendrat të votohen së bashku, e jo një nga një, as duke i ndarë hapësirat diplomatike nga të tjerat,” tha Krasniqi.
E anëtari tjetër i KQZ-së por nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Gashi, akuzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për tentim ndërhyrjeje në procesin e votimit për diasporën.
“Kemi pasur një situatë të ngjashme në shkurt të zgjedhjeve të kaluara, kur kishim rreth 6 muaj për përgatitje. Ne kemi inspektuar objektet dhe konsullatat që përgatiteshin për procesin e 9 shkurtit. Ligji e përcakton qartë që qytetarët, përmes KQZ-së, kërkojnë nga MPJD që përfaqësitë diplomatike të jenë të gatshme për procesin e votimit. Edhe në zgjedhjet e kaluara MPJD ka bërë ndërhyrje flagrante, duke tentuar të hapë qendra jashtë vendimit të KQZ-së, madje nëpër klube, gjë që ngre dyshime për interesa ekonomike. Kemi dy vendime gjyqësore – përfshirë atë të Gjykatës Supreme – që thonë se KQZ nuk ka cenuar të drejtën e qytetarëve për votimin në mjediset diplomatike. Prandaj, nuk duhet të hapen qendra jashtë këtyre hapësirave sepse është shkelje e ligjit. Fatkeqësisht, Sekretariati po hyn në çështje që nuk i takojnë, duke vepruar sipas interesave të MPJD-së. Kërkoj që qendrat e votimit të hapen në përputhje me ligjin dhe me vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme,” tha Gashi.
Por këto i kundërshtoi anëtari tjetër i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi.
“I dëgjova kolegët dhe do të kërkoja që t’i lexojnë dokumentet origjinale dhe konventat që i përmendin, sepse mënyra si janë cituar është tentim për mashtrim. I kam studiuar dhe i njoh shumë mirë. Gjithashtu, kërkoj të paraqitet vendimi i Gjykatës Supreme dhe i PZAP-it, të cilët nuk e kanë ndaluar procesin, por kanë vlerësuar se vendimi i KQZ-së ka qenë i rregullt. Nëse marrim vendim për hapjen e qendrave të votimit, nuk është kundër asnjë akti. Sa i përket kostos, deri në 90 mijë euro janë vetëm hapësirat shtesë, ndërsa vetëm një qendër ka pagesë 5,600 euro për dy ditë; të tjerat nuk kanë. Sipas tabelës, në Frankfurt çmimi është 2,800 euro për ditë. Dje kemi marrë vendim t’u dërgojmë mërgimtarëve fletëvotimet e shtypura dhe u pa që është e pamundur të zhvillohet ky proces. Nuk e kuptoj pse ka kundërshtim për t’u ofruar votuesve jashtë vendit mundësi votimi,” tha Kurteshi.
Gashi reagoi sërish duke e cilësuar si shpifje.
“Kjo është shpifje, dhe kam dokument që shuma është 95 mijë euro. Në emrin tim nuk mund të flitet”, reagoi Gashi.
Kurteshi iu përgjigj duke i thënë se deklaratat e Gashit nuk janë të vërteta.
“E di që po të djeg, sepse janë të pavërteta”, tha Kurteshi./eo
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...