Deklarohen të pafajshëm instruktorja dhe katër zyrtarët Ministrisë së Infrastrukturës të akuzuar për korrupsion - Gazeta Express
string(111) "deklarohen-te-pafajshem-instruktorja-dhe-kater-zyrtaret-ministrise-se-infrastruktures-te-akuzuar-per-korrupsion"

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 13:09

Deklarohen të pafajshëm instruktorja dhe katër zyrtarët Ministrisë së Infrastrukturës të akuzuar për korrupsion

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 13:09

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare të mërkurën, të akuzuarit Ardita Balaj, Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vjishaj, të akuzuar për korrupsion.

Në këtë rast, Ardita Balaj- në cilësinë e instruktores së autoshkollës po akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa për keqperdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMHI) po akuzohen Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj.

Deklarimin rreth fajësisë, pesë të akuzuarit e kanë bërë pasi që prokurori Arianit Salihu e lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuçi, njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 3 tetor 2025, e akuzuara Ardita Balaj akuzohet se më 19 maj 2025, rreth orës 11:00, në Prishtinë, në ambientet e oborrit të Stacionit të Autobusëve, përkatësisht në veturë, duke pasur cilësinë e instruktores në autoshkollën “AFA BC1 (Albi A-F)”, pas pretendimit për marrëveshje paraprake kinse me ekzaminerin e caktuar nga MMPHI për zhvillimin e testit praktik atë ditë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore per vete, duke vepruar ne kundërshtim me detyrat e saj zyrtare, nga e dëmtuara E.V., (kandidate për pajisje me patentë shofer), ka marrë 200 euro, me qëllim që asaj t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes nga ekzamineri pyetës.

Në aktakuzë thuhet se pasi që e dëmtuara kishte dhënë paratë dhe kaluar testin, e pandehura është larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast duke qenë nën masa të veçanta hetimore, të pandehurës nga ana e Policisë së Kosovës, i janë konfiskuar shuma prej 100 euro.

Për këtë, Balaj po akuzohet se ka kryer veprēn penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në pikën II të kësaj aktakuze, ngarkohen të akuzuarit Florije Selimi, Edilah Qupeva, Sabit Muzagi dhe Vjollcë Vishaj, se nga 1 prilli 2025 deri më 29 prill 2025, në Prishtinë dhe Obiliq, duke pasur cilësinë e personave zyrtarë dhe kompetentë të MMPHI-së, si dhe duke vepruar në bashkëkryerje, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete dhe për autoshkollën “AFA-BC1”.

Sipas aktakuzës, e pandehura Florije Selimi më 1 prill 2025, rreth orës 18:40, duke qenë në cilësi të inspektores në Departamentin e Autoshkollave, me qëllim të mundësimit të licencimit të Autoshkollës “AFA-BC1”, pa plotësuar kushtet ligjore, duke vepruar me dashje dhe me dijeni në tejkalim të detyrave dhe kompetencave të saja ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë materiale për vete dhe për Autoshkollën “AFA-BC1”, ka zhvilluar komunikim fizik dhe përmes telefonit me nënkryetaren e Komisionit për licencim, Edilah Qupeva, si dhe ka komunikuar përmes telefonit dhe është takuar ne zyrën e autoshkollës, pas orarit të rregullt të punës, me palën aplikuese, Ardita Balaj si përfaqësuese e autoshkollës së lartcekur, me qëllim të plotësimit dhe përgatitje së dokumentacionit për licencim, veprime këto, të cilat i kanë paraprirë procedurës së licencimit pa plotësuar kushtet ligjore nga ana e Komisionit.

Në aktakuzë thuhet se pas zhvillimit të drekës me të pandehurit e tjerë, më 4 prill 2025, një një restaurant, e pandehura me dashje dhe dijeni, ka vepruar në kundërshtim me detyrat zyrtare dhe në tejkalim të kompetencave të saj. Aty thuhet se sërish takohet më 7 prill 2025 pas orarit të punës me Balajn, në zyrë të Autoshkolliës, me rast përpilon procesverbalin duke konstatuar në mënyrë fiktive mbylljen e veprimtarisë, lidhur me kërkesën e autoshkollës për mbyllje të veprimtarisë, mbi arsyetimin e shpërnguljes jashtë vendit, derisa në realitet personat e njëjtë, në vendin e njëjtë dhe lokalin e njëjtë regjistrohen dhe licencohen për të operuar me veprimtarinë e njëjtë, pra me shërbime të autoshkollës, vetëm se auto shkolla merr emër të ri, pra “AFA-BC1”, duke mos pasur asnjë lidhje me arsyetimin për shpërngulje jashtë vendi. Aktakuza thotë se ky veprim i të pandehurës është ndërmarrë me qëllim të mundësimit që autoshkolla “AFA-BC1”, të realizojë veprimtarinë e saj për gjenerim të dobisë materiale.

Më tej, në këtë aktakuzë thuhet se të pandehurit Edilah Qupeva, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj më 4 prill 2025, duke qenë në cilësi të Komisionit për shqyrtim dhe vendosje lidhur me kërkesat për licencim dhe ndërrim të kushteve hapësinore të autoshkollave, përkatësisht Edilah Qupeva në pozitën e kryetares, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj në pozitë të anëtarëve të komisionit, në bashkëkryerje, me dashje dhe dijeni kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, të përcaktuara në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Infrastrukturës, Ligjin për Patentë Shoferë dhe Udhëzimin Administrativ për Licencim të Auto Shkollave dhe Ligjin për Procedura të Përgjithshme Administrative, me qëllim të përfitimit të dobisë materiale për vete dhe për auto shkollën “AFA-BC1”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, fillimisht Qupeva në mënyrë të vazhdueshme para dhe gjatë procedurës së aplikimit, komunikon me palën aplikuese- tani të pandehurën Balaj dhe inspektoren e Departamentit të Autoshkollave- tani të pandehurën Selimi, ndërsa pas aplikimit zyrtar, Edilah Qupeva, Vjollcë Vishaj dhe Sabit Muzaqi duke vepruar në bashkëkryerje, marrin në shqyrtim aplikacionin e pakompletuar për licencim të autoshkollës “AFA-BC1”, në kundërshtim me dispozitat e lartcekura dhe me qëllim për t’i mundësuar dobi materiale pasurore vetes dhe autoshkollës në fjalë, konstatojnë pa të drejtë dhe në mënyrë fiktive në procesverbalin për shqyrtim dhe verifikim të dokumentacionit dhe kushteve hapësinore, se autoshkolla në fjalë plotëson të githa kushtet dhe kriteriumet ligjore për licencim në kategorinë “B” dhe “C1”.

Ky procesverbal, aktakuza thotë se nënshkruhet gjatë kohës së drekimit me palën aplikuese Ardita Balaj, në një restaurant, së bashku edhe me Florije Selimin, i cili procesverbal i paraprin marrjes vendimit të datës 4 prill 2025 për aprovim të licencimit, me ç’rast të pandehurit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me të njëjtën datë, numrat e licencave të licencës të panënshkruar zyrtarisht nga personi kompetent, pra Sekretari i Pergjithshëm i Ministrisë, ia japin autoshkollës në fjalë, me qëllim që autoshkolla “AFA-BC1” të gjenerojë dobi materiale, pa plotësuar kushtet dhe kriteret ligjore për licencim dhe me licencë ende të panënshkruar zyrtarisht siç parashihet në dispozitat e lartcekura ligjore, e cila licencë nga autoshkolla zyrtarisht është pranuar më 29 prill 2025.

Për këtë, të pandehurit Florije Selimi, Edilah Qupeva, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPKR-së. /BetimipërDrejtësi