Ka vdekur i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas, Behar Topilla, kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Përmes një reagimi, Fatlum Nika shkroi se Behari ndërroi jetë sot, dhe se largimi i tij është dhimbje e thellë, sepse me të shuhet edhe një zë i gjallë i dëshmitarë i masakrës së Shavarinës.
“Njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Shavarinës ishte edhe Behar Topilla nga Gllanasella. “Sole Survivor”, ose në shqip “I mbijetuari i vetëm”, ishte titulli i gazetës “The Salt Lake Tribune”, e cila tregonte historinë e shpëtimit të tij nga masakra, edhe pse ishte plagosur dhe kishte mbetur nën grumbullin me mbi 40 kufoma”. Kështu e kisha përshkruar mbijetesën e Behar Topillës nëpërmjet gazetës “The Salt Lake Tribune” në temën time të diplomës, konkretisht masakrën e Shavarinës të kryer më 1 maj të vitit 1999, në Gllanasellë”, shkroi ai.