Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka thënë se më 28 dhjetor vota e qytetarëve do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës.
Ai ka kërkuar që t’i jepet mundësia që të dëshmojë se ka udhëheqës që “respektojnë fjalën e dhënë”.
Hamza ka shtuar se Kosova sot është e rënduar nga krizat, duke kërkuar që t’i jepet mundësia që ta heqë “mjegullën” mbi Kosovën.
“Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim. A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?! Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë. Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie. Sepse sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur. Por sot, unë dua t’ju them se nuk ka pse të jetë më kështu. Me 28 dhjetor, ju kërkoj një shans për ta hequr këtë mjegull mbi vendin dhe njerëzit tanë, mbi të ardhmen e Kosovës sepse Kosova mundet ma mirë, sepse ju meritoni shumë ma mirë. Më jepni një mundësi që të dëshmojë se ka udhëheqës që respektojnë fjalën e dhënë, më jepni një mundësi që të sjell në shërbimin publik njerëzit ma të mirë dhe ma të talentuar që ka Kosova. Më jepni mundësinë t’i ndryshoj zakonet e viteve të fundit të cilat po e mbajnë peng vendin tonë. Ka një Kosovë ma të mirë përpara nesh. Një Kosovë që është e mundur dhe e arritshme. Një Kosovë stabile. Një Kosovë prosperuese. Një Kosovë të mundësive për të gjithë. Me 28 dhjetor, e hapim kapitullin e ri. Le ta zgjedhim unitetin. Le ta zgjedhim stabilitetin. Le ta zgjedhim mirëqenien për Kosovën”, tha ai.