Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, në një konferencë për media ka thënë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë pas “qëndrimeve të njëanshme e denigruese ndaj sistemit prokurorial”, raporton Gazeta Express.
“Takimi i mbajtur më 20 nëntor u.d. i kryeprokurorit dhe katër anëtarë tjerë e lëshuan takimin kundërligjshëm dhe pamundësuan shqyrtimin e raportit zgjedhor për zgjedhjen e anëtarit prokuror nga radhët e prokurorive themelore. Në atë takim, këta anëtarë të KPK erdhën të përgatitur me qëllim që ta bllokojnë punën e Këshillit. KPK është organ kushtetues me mandat dhe përgjegjësi të qarta ligjore dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të bllokohet, por duhet të ketë funksionim normal për të përmbushur mandatin ligjor. Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese ndaj sistemit prokurorial të shprehura nga z. Kelmendi në takimin e Këshillit dhe në prononcimet në media është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon kryeprokurorit të shtetit në sistemin prokurorial si dhe ka cenuar besimin e publikut në KPK, prandaj kemi marrë vendim për shkarkimin e tij nga kjo pozitë. Jeni në dijeni se për këto arsye dhe për arsye tjera politike ka mbetur pa dekretimin e kryeprokurorit dhe me ushtrues detyre në këtë pozitë për 4 vjet. Edhe sot ritheksojmë se në përputhje me kushtetutën dhe ligjet dhe për rrethanat e krijuara nga vendimet e tij kemi marrë vendim për shkarkimin e Besim Kelmendit dhe në vend të tij kemi caktuar Agron Qalajn. Ne e mirëpresim qasjen e Kelmendit për të ndjekur rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi.”
Ai ka thënë se “tentimi për të penguar rrugën dhe funksionimin e KPK përbën sulm të drejtpërdrejt në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për rendin dhe sigurinë juridike”. /Express/