Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka bërë thirrje publike Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetje të Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës së SHBA-ve, për lirimin e shtetasit të Kosovës nga Podujeva, 77 vjeçarit, Hazir Haziri – Zogu, i cili po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg.
Tahiri ka thënë edhe se, Haziri po mbahet i burgosur me akuza të pabazuar për ‘’krime lufte’’, dhe se, burgosja e tij është i padrejtë, me motive politike dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
‘’ Sipas Marrëveshjes të vitit 2015, rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës, prandaj kërkojmë urgjentisht lirimin e tij ose transferimin e rastit në Kosovë’’, thuhet nga Tahiri mes tjerash.
Postimi:
KËRKESË PËR VEPRIM URGJENT INSTITUCIONAL
Po kërkoj publikisht angazhimin e menjëhershëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetje të Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës së SHBA-ve, për lirimin e shtetasit të Kosovës nga Podujeva, Hazir Haziri – Zogu, 77 vjeçar, i cili tashmë 78 ditë po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg, nën akuza të pabazuara për “krime lufte”.
E njoh personalisht Hazir Hazirin, është mik i prindëve të mi, një qytetar i urtë i Podujevës, familjar, pa të kaluar kriminale, me kulturë të lartë dhe me shëndet të brishtë. Ky burgim i zgjatur është i padrejtë, ka motive politike dhe në kundërshtim të hapur me të drejtat elementare të njeriut.
Vazhdimi i mbajtjes së tij paraqet rrezik real për shëndetin dhe jetën e tij.
Sipas Marrëveshjes të vitit 2015, rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës, prandaj kërkojmë urgjentisht lirimin e tij ose transferimin e rastit në Kosovë.
Familja e tij po kalon ditë të padurueshme pasigurie, frike dhe dhimbjeje. Çdo ditë që kalon është e rëndë dhe e padrejtë.
Institucionet tona, partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e Kosovës, veproni TANI. Mos heshtni. Mos prisni. Ky është test i humanizmit, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.