Supremja ndryshon vendimin e Apelit, ia njeh paditësit të drejtën e pensionit të veteranit të UÇK-së - Gazeta Express
string(99) "supremja-ndryshon-vendimin-e-apelit-ia-njeh-paditesit-te-drejten-e-pensionit-te-veteranit-te-uck-se"

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 7:20

Supremja ndryshon vendimin e Apelit, ia njeh paditësit të drejtën e pensionit të veteranit të UÇK-së

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 7:20

Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke ia njohur kështu paditësit K.J., të drejtën e pensionit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas vendimit që mban datën e përpilimit 30 tetor 2025, Gjykata Supreme aprovoi si të themeltë revizionin e paditësit K.J., ndërkaq me ndryshimin e aktgjykimit të Apelit, aprovoi si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, duke ia njohur të drejtën në pension personal të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Më tej në vendim thuhet se “II. Anulohet vendimi nr. 05/05/5719, të datës 21.02.2022, i nxjerrë nga e paditura: Ministria e Financave, Punës dhe Transferave Prishtinë – Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Prishtinë”.

Supremja me këtë vendim, paditësit ia njeh të drejtën e pensionit nga data e ndërprerjes më 28 qershor 2021 dhe derisa të ekzistojnë kushtet ligjore.

Sipas Supremes, nga shkresat e lëndës rezulton se me vendimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferave – Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, është refuzuar si e pabazuar ankesa e ankuesit K. J., për njohjen e së drejtës në pension personal të Veteranit – Luftëtar të UÇK-së.

“Pas refuzimit të kërkesëpadisë së tij nga instancat më të ulëta gjyqësore, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.nr.436/2024, të datës 10.03.2025, paditësi nëpërmes Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka parashtruar revizion në Gjykatën Supreme”, thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme, vlerëson po ashtu se “në rastin konkret, gjykatat e instancës më të ulët kanë vërtetuar drejtë gjendjen faktike kur kanë konstatuar se: paditësi ka qenë i regjistruar si punësuar ose i vetë-punësuar, mirëpo nuk kanë zbatuar drejtë dispozitat ligjore, përkatësisht nuk është zbatuar fare ndryshim – plotësimi nga neni 16 A paragraf 5, i Ligjit Nr. 05/L-141 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L -261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili i referohet pensionit për veteranët të cilët janë të punësuar, por që nuk financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe që nuk janë të punësuar në institucionet apo ndërmarrjet publike. Sipas Supremes, në rastin konkret nuk paraqet rrethanë përcaktuese fakti nëse paditësi ka qenë apo jo i punësuar, por se a është paguar apo paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”.

Ndaj Gjykata Supreme, pretendimet e paditësit të theksuara në revizion, i ka cilësuar si të bazuara dhe të pranueshme, ndërsa, nuk ka pranuar si të drejta dhe ligjore vendimet e mëhershme.

“Për dallim nga Ligji nr. 05/L-261, i cili në nenin 16 paragraf 4 ka përcaktuar se veteranët luftëtar të UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit veteran luftëtar, sipas ndryshim plotësimeve të Ligjit Nr. 05/L-141, përcaktohet se: “Të drejtën në përfitim financiar e ka vetëm Veterani Luftëtar i UÇK-së, i cili i plotëson kushtet e përcaktuara me këtë ligj”, thuhet në vendim.

Sipas Supremes, formulimi i ndryshuar nuk përmban më ndalesën e përfitimit pensional për të gjithë ata që janë të punësuar në sektorin publik dhe privat, por për përfitimin e kësaj të drejte nevojitet plotësimi i kushteve ligjore.

“Pra, rregulli zbatues që të drejtën për përfitimin e pensionit veteran luftëtar e kanë të gjithë ata veteranë që nuk janë në marrëdhënie pune, i cili buron sipas Ligjit nr.04-L-261, nuk mund të zbatohet sipas ndryshim plotësimeve të këtij ligji, kjo sepse sipas Ligjit nr.05/L-141, theksohet se “veteranët e luftës që punojnë jashtë institucioneve publike dhe që nuk paguhen nga buxheti i shtetit si dhe ata që punojnë jashtë ndërmarrjeve publike do të gëzojnë njëtrajtshëm pensionin deri në 50% të shumës së paraparë…). Në frymën e interpretimit të kësaj dispozite ligjore, kjo e drejtë i takon dhe përfitues të pensionit veteran luftëtar mund të jenë të gjithë ata të cilët nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, vlerëson Supremja.

Nga kjo gjendje faktike dhe juridike e kësaj çështje, Supremja vlerëson se pikëpamjet e gjykatave të instancave më të ulëta sipas mënyrës së vendosjes si në aktgjykimet e kontestuara, nuk mund të pranohen si të drejta dhe ligjore, përderisa e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të gabuar.

“Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, vendimi i të paditurës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, ndërsa pretendimet e paditësit të theksuara sikurse në revizion, janë të bazuara dhe të pranueshme nga kolegji i kësaj gjykate, andaj u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Supremes.