Lumir Abdixhiku është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Këtë e bëri të ditur ai pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së të hënën.
Kryetari i LDK-së, në konferencë për media tha se janë të hapur që individë dhe parti politike të përfshihen në listën e LDK-së.
Madje pas pyetjes së KosovaPress, Abdixhiku tha se janë të gatshëm që nën listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, po ashtu Aleanca Kosova e Re (AKR), Partia Demokristiane dhe Partia e Drejtësisë.
Krahas kësaj, Abdixhiku foli edhe për koalicionet paszgjedhore dhe vijat e kuqe. Ai u shpreh i ashpër karshi qeverisë në detyrë, derisa tha se ata janë alternativë e populizmit të LVV-së./KP