Rasti i qenve të ngordhur në Hajvali kalon në Prokurori, i mituri në qendër të hetimeve - Gazeta Express
string(86) "rasti-i-qenve-te-ngordhur-ne-hajvali-kalon-ne-prokurori-i-mituri-ne-qender-te-hetimeve"

Lajme

Gazeta Express

24/11/2025 17:56

Rasti i qenve të ngordhur në Hajvali kalon në Prokurori, i mituri në qendër të hetimeve

Lajme

Gazeta Express

24/11/2025 17:56

Gazetare: Ajda Shukriu

Policia e Kryeqytetit ka konfirmuar për “Kosova Live” zhvillimet e fundit në lidhje me rastin e këlyshve të ngordhur në Hajvali, i cili ka shkaktuar reagim të madh publik. Siç e kemi raportuar më herët, personi i dyshuar është mashkull i mitur, ndërsa tani Policia ka bërë të ditur se ai është identifikuar dhe është intervistuar në koordinim të drejtpërdrejtë me Prokurorin e Shtetit.

Në komunikimin zyrtar, Policia e Kryeqytetit konfirmon se ka ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar.

“Personi i dyshuar (mashkull, i mitur) është identifikuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është intervistuar. Ditën kur dyshohet se ka ndodhur rasti, të njëjtit i është shqiptuar gjobë për drejtim të veturës pa patentë shofer. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit pas veprimeve hetimore të ndërmarra në koordinim me prokurorinë, ka ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar”, duke konfirmuar se i ka proceduar rastin Prokurorisë.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala, ka deklaruar për “Kosova Live” se rasti është ende në fazën e trajtimit nga prokurori i çështjes.

“Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore. Po ashtu, ai ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime shtesë hetimore,” ka thënë Shala, duke shtuar se institucionet do të njoftojnë me kohë për çdo zhvillim të ri.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje të reja lidhur me raportin e autopsisë së klysheve e që për gjetjet e ekspertizës veterinare apo masat e mundshme ndaj të miturit. .

Kjo mbetet e paqartë pavarësisht faktit se autopsia është kryer tashmë nga veterineri i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa Drejtoria e Mirëqenies së Kafshëve në AUV në deklarimet e dhëna më herët për “Kosova Live” ka lënë të kuptohet se rasti dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm, bazuar në dëmtimet trupore të evidentuara tek kafshët.

Aktualisht, rasti ndodhet plotësisht në duart e Prokurorisë, e cila ende nuk ka komunikuar një vendim final.

Hetimet po vazhdojnë.