Kriza e trafikut urban në Prishtinë po thellohet, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar versionin e Komunës
Në një intervistë për Kosova Live, shefi i asamblistëve të VV-së, Gezim Sveçla, tha se sipas informacioneve zyrtare nga Qeveria, 3.2 milionë euro i janë alokuar Komunës pasditen e së premtes, duke i dhënë asaj mundësi të kryente pagesat urgjente për Trafikun Urban.
Sipas Sveçlës, problemi nuk ka qenë tek Qeveria, por tek mosveprimi i Komunës së Prishtinës, e cila “nuk ka bërë asnjë pagesë, duke e lidhur kështu vikendin”.
Ai ngriti edhe një dyshim serioz: mundësinë që një pjesë e mjeteve të ketë përfunduar te përmbaruesi, për shkak të proceseve të hapura financiare ndaj Komunës. Por tha se këto duhen konfirmuar dhe sqaruar.
Ndërkohë, kryetari Përparim Rama akuzoi Qeverinë për vonesa në transfertat buxhetore, duke thënë se ndërmarrja ka mbetur pa fonde pikërisht për këtë arsye.