Kurti pret delegacionin amerikan, në komunikatë thuhet se u diskutua rreth bashkëpunimit në mbrojtje e avancim i marrëdhënieve Kosovë-ShBA - Gazeta Express
string(137) "kurti-pret-delegacionin-amerikan-ne-komunikate-thuhet-se-u-diskutua-rreth-bashkepunimit-ne-mbrojtje-e-avancim-i-marredhenieve-kosove-shba"

Lajme

Gazeta Express

24/11/2025 14:04

Kurti pret delegacionin amerikan, në komunikatë thuhet se u diskutua rreth bashkëpunimit në mbrojtje e avancim i marrëdhënieve Kosovë-ShBA

Lajme

Gazeta Express

24/11/2025 14:04

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot një delegacion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi u fokusua në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në komunikatë thuhet se Kurti ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë ushtarak ndërmjet dy shteteve, duke përmendur se mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime dhe programe ushtarake të SHBA-së gjatë katër viteve të fundit, përfshirë edukimin në West Point dhe U.S. Army War College.

Po ashtu, kryeministri nënvizoi rolin e Kosovës në ushtrimet Defender Europe, duke rikujtuar se në edicionin e vitit 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane u vendos në aeroportin ushtarak të Gjakovës, prej nga u drejtuan brigadat operuese në Evropën Juglindore.

Kurti ka përmendur edhe investimet në kapacitetet mbrojtëse, përfshirë prokurimin e pajisjeve ushtarake amerikane si sistemet anti-tank Javelin, si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme si CISMOA dhe marrëveshjen për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, status me të cilin Kosova bëhet vendi i 33-të në nivel global.

Kryeministri në detyrë theksoi orientimin euro-atlantik të vendit dhe synimin për integrim në NATO dhe BE, duke potencuar se Kosova synon të jetë jo vetëm përfituese nga garancitë e sigurisë, por edhe kontribuuese aktive në paqen evropiane.

Në takim u diskutua gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos në sektorin e energjisë, teknologjisë dhe projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.

Kurti vlerësoi gjithashtu progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, të cilin e lidh me raportet pozitive të organizatave ndërkombëtare, dhe shprehu mirënjohje ndaj SHBA-së për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.