Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për situatën në Prishtinë duke thënë se “kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën ta bllokojnë Prishtinën”.
Ai shton se bllokada e Prishtinës rrezikon edhe shkolla, qendra mjekësore e shërbime bazike për qytetarë.
“Kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë! Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi.”
Abdixhiku thotë se “popullistët” nuk duan ta kuptojë se kur e bllokojnë buxhetin e kryeqytetit nuk e bllokojnë LDK’në por jetën e qytetarëve.
“Popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e Kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në. E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet. E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por te arroganca.”
Ai ka thënë se Prishtina nuk i kërkon paratë e qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në kuvend, por paratë e veta.
Abdixhiku ka shtuar se “pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij”.
“Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milion euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?! Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish. Por deri atëherë – le ta dijë secili – se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata. Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër. Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie.”