Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka dalë me një reagim për kushtet e punës në Minierën me Flotacion të Trepçës, pasi dje janë lënduar dy punëtorë atje. Sipas tyre kushtet nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë.
“Situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor.”
Sindikata thotë se çdo ditë ka të lënduar.
“Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë.”
Ata shtojnë se një nga shkaqet kryesore janë pajisjet e vjetruara që nuk plotëosjnë standardet më elementare të sigurisë.
“Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona.”
Sindikata thotë se investimet nuk janë dëshirë por domosdoshmëri.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri.”
Sinidkata i bën thirrje “qeverisë së re” që ta kthejë vëmendjen kah minierat.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat. Duhet një plan i qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë, sepse pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë. Po ashtu, kërkojmë nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse pa asnjë vonesë. Kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme. Minatorët nuk mund të presin më.”