Sinisha Karan, aleati i ngushtë i Millorad Dodikut, presidentit të shkarkuar të Republikës Sërpska të Bosnjës, i ka fituar zgjedhjet e parakohshme presidenciale në një garë të ngushtë me kandidatin e opozitës të dielën.
Karan i fitoi 50.89% të votave, sipas rezultateve paraprake të shpallura para mesnatës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës.
Kundërshtari i tij nga Partia Demokratike Serbe, Branko Blanusha, i fitoi 47.81 për qind të votave.
Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) – një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – shiheshin si provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila ka qenë në pushtet për gati dy dekada.
Karan do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00, ndërsa u mbyllën në orën 19:00.
Rreth 35.7 për qind e mbi 1.2 milionë qytetarëve me të drejtë vote hodhën votën në këto zgjedhje.
Zgjedhjet u mbajtën pas vitesh përplasjeje midis përfaqësuesit të lartë të Bosnjës, Christian Schmidt, dhe Dodikut – përplasje që, sipas shumë analistëve, e çuan vendin në prag të krizës më të rëndë politike që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.
Në fillim të këtij viti, Dodiku u dënua dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet për shkak të moszbatimit të vendimeve të Schmidtit.
Pasi fillimisht e shpërfilli vendimin për muaj të tërë, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Kremlinin, e pranoi papritur shkarkimin e tij në tetor.
Gjatë fushatës, Karan ishte promovuar hapur si vazhdimësi e trashëgimisë së Dodikut.
Ai ishte i pranishëm në tubimin përmbyllës të së enjtes, ku Dodik, i cili gjatë fushatës e quajti Bosnjën “shtet të pamundur”, premtoi se përpjekja drejt shtetësisë së Republikës Sërpska do të vazhdojë.
“Vizioni ynë është liria, dhe nuk ka liri pa shtet”, u tha Dodik turmave në kryeqendrën administrative të serbëve të Bosnjës, Banjalluka.
Ndërkohë, Blanusha i ka fajësuar politikat e Dodikut për rrezikimin e së ardhmes së entitetit dhe e ka akuzuar atë për korrupsion.
“Ai i ka poshtëruar institucionet e RS-së për interesat dhe pasurinë e tij personale”, tha Blanusa gjatë një aktiviteti elektoral në fillim të kësaj jave. /REL