Ish-polici Arbnor Spahiu ka njoftuar se është liruar nga burgu i Serbisë, ku ishte mbajtur që nga 7 qershori i këtij viti. Ai thotë se arrestimi i tij ka qenë “plotësisht politik dhe i padrejtë”, ndërsa thekson se tani është mirë dhe “më i fortë se kurrë”.
Në një reagim në Facebook, Spahiu ka falënderuar familjen, miqtë, bashkëfshatarët, ish-kolegët nga Policia e Kosovës, institucionet e vendit dhe të gjithë shqiptarët për mbështetjen gjatë muajve të vështirë të paraburgimit.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për ndihmën financiare të dhënë nga qytetarët, të cilën e ka cilësuar si shumë të vlefshme. Spahiu ka veçuar avokatin e tij, Gvozden Grgur, për profesionalizmin dhe përkushtimin në mbrojtjen e tij, si dhe përkthyesin që e ka ndihmuar gjatë procesit.
“Gëzimin dhe lumturinë që po shoh tek njerëzit pas lirimit, nuk mund t’i përshkruaj me fjalë”, ka shkruar ai, duke shtuar se mirënjohja e tij për të gjithë ata që e kanë mbështetur është “e pafund”.
Në fund, Spahiu ka uruar: “Zoti ju bekoftë të gjithëve”.