Eseja e javës/ John Berger: Mbi vigjilencën - Gazeta Express
string(41) "eseja-e-javes-john-berger-mbi-vigjilencen"

Arte

Gazeta Express

22/11/2025 15:10

Eseja e javës/ John Berger: Mbi vigjilencën

Arte

Gazeta Express

22/11/2025 15:10

John Peter Berger (1926 – 2017), ka qenë romacier, poet, kritik letrar dhe piktor anglez. Më 1972 kishte fituar Booker Prize për romanin G

MBI VIGJILENCËN

Njerëzit kanë kafiteritë e tyre të preferuara ku takohen me miqtë e tyre dhe pinë së bashku. Unë preferoj që me miqtë e mi të pi në shtëpi. Kam edhe pishinat e mia të preferuara publike ku më pëlqen të shkoj e të notoj sipas ritmit tim, duke u takuar me notar tjerë që nuk i njohë megjithëse shkëmbejmë mendime e ndonjëherë i buzëqeshim njëri-tjetrit. 

Mbajtja e kapelave të banjës është e detyrueshme. Njësoj siç është edhe dushi me shampon para zhytjes ose para se të zbresësh nga një shkallë në qoshen e pishinës. Unë zhytem dhe ndërsa notoj për herë të parë nën ujë, kam ndjesinë sikur kam hyrë në një periudhë tjetër kohore, disi e ngjashme me ndjesinë që një fëmijë mund ta ketë në shtëpi kur vendos të shkojë nga një kat në katin tjetër. 

Si notar që jemi ne ndajmë një lloj anonimiteti egalitar. Pa këpucë, pa shenja të ndonjë rangimi. Vetëm kostumet tona të notit. Nëse e prek dikënd aksidentalisht ndërsa kalon pranë tij ose asaj, duhet të kërkosh falje. Mizoria e pakufishme ndaj të tjerëve sikurse ne, mizoria për të cilën jemi të aftë kur jemi pjesë e një regjimenti apo të indoktrinuar, është vështirë e imagjinueshme ndërsa kthehesh për të notuar me një shkallë të lartë të precizitetit. 

Muret e jashtme dhe çatia e sheshtë e pishinës publike janë prej xhami. Kështu që nga uji mund të shihen ndërtesat përreth dhe qielli. Në anën perëndimore është një pjerrësi me bar, në majën e së cilës rritet një pemë e madhe dhe e gjatë me panjë argjendi. E shikoj këtë pemë ndërkohë notoj në anën time. 

Forma e përgjithshme e pemës, me shumë dëgë të ngritura lart, është si forma e secilës prej gjetheve të saj (Kjo është pak a shumë e dukshme në shumicën e varieteteve të pemëve). Gjethja e panjës ka formë pende – nga pinna, fjalë latine për pendën. Sipërfaqja e gjethes ka ngjyrën e një sallate jeshile ndërsa në pjesën e pasme ka një ngjyrë argjendi gjelbëroshe. Kështu është thënë të jetë nga fati. Me formë pende. 

Vendosa që ta vizatoj sapo të dal nga pishina; një skicë për të gjithë pemën dhe në të njëjtën faqe një vizatim nga afër të njërës prej gjetheve të saj. Le t’i referohet në njëfarë mënyre kodit gjenetik të panjës, kështu i them vetes ndërsa ende notoj. Do të jetë një lloj panje argjendi. 

Tekste të tilla i takojnë një gjuhe të pafjalë të cilën e kemi lexuar që në fëmijëri të hershme por së cilës nuk mund t’i jap emër. 

Më vonë notoj mbështetur në shpinë dhe shoh lart në qiell përmes çatisë prej xhami. Një blu e ndezur me shtëllunga mjegullash në një lartësi mbidetare prej 5000 metrash (fjala latine për shtëllunga është cirrus). Shtëllungat lëvizin ngadalë, pastaj bashkohen e ndahen ndërsa retë lëvizin në erë. Mund ta mas zhvendosjen e tyre falë formës së çatisë; përndryshe do të ishte e vështira ta vija re. 

Lëvizja e shtëllungave me sa duket vjen nga brenda trupit të secilës re, jo nga një presion i mundshëm; por si një lëvizje e një trupi që është në gjumë të thellë.

Ndoshta kjo është arsye pse ndalova së notuari, i vë duart pas kokës dhe shoh gishtat e mëdhenj të këmbëve se si më dalin në sipërfaqe. Uji më mban.

Sa më shumë që i shikoj shtëllungat aq më shumë mendoj mbi historitë e pathëna; sikurse historitë që mund të na tregojnë gishtat e në fakt këto janë histori të thëna nga kristalet e vogla prej akulli në një heshtje të kaltërt.

Dje lexova në gazetë se si në Gaza, njëzet palestinezë u vranë në shtëpitë e tyre, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dërguar në një mision sekret edhe 300 trupa të tjerë për t’i mbrojtur interesat e tyre në rafineritë e naftës në Irak, se si James Foley-it, një gazetari amerikan mbajtur peng nga ISIS-i, iu pre koka dhe videoja e ekzekutimit të tij u shkarkua në internet, se si 35 emigrantë të paligjshëm nga India, burra, gra dhe fëmijë u gjetën të mbytur në një kontenjer mallërash në një anije transporti që sapo kishte kaluar Detin e Veriut për t’u ankoruar në Londër. 

Shtëllungat lundrojnë drejt veriut, drejt fundit të thellë të pishinës. I mbështetur në shpinë, pa lëvizur, e shoh mënyrën se si valëzohen. 

Pastaj siguria që më ofron pamja ndryshon. Më duhet kohë ta kuptoj këtë. Gradualisht ndryshimi më bëhet i dukshëm dhe siguria që marr më behët me e kuptueshme. Lakoret e shtëllungave tashmë po vëzhgojnë një njeri të mbështetur në shpinë, me duart pas kokës. Nuk jam unë që po i vëzhgojë; ata po më vëzhgojnë mua. 

Marrë nga Confabulations.

/Përktheu Shpëtim Selmani