Në emisionin Politica në Tv Globi, ku i ftuar ishte kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, gazetari dhe themeluesi i Agjencisë së Lajmeve Flaka, Driton Zenku, ka shpjeguar arsyen kryesore që, sipas tij, çoi në dështimin e arritjes së censusit në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të tetorit në Gostivar.
Zenku deklaroi se partitë VLEN dhe VMRO-DPMNE kanë punuar në mënyrë të organizuar që të mos arrihej votueshmëria e nevojshme, duke ndikuar që anëtarët dhe simpatizantët e tyre të mos dalin në votim – sidomos në pjesën e dytë të ditës zgjedhore.
“Ka pasur eksponentë të VLEN-it, por edhe të VMRO-DPMNE-së, që mobilizuan strukturat që të mos dalin të votojnë në pasditen e së dielës zgjedhore. Kanë qarkulluar mesazhe interne dhe ky është një akt që lehtë dëshmohet”, theksoi Zenku.
Ai argumentoi se disa figura të VLEN-it, vetëm një orë pasi u mbyllën kutitë e votimit – e pa u publikuar ende rezultatet preliminare – kishin deklaruar se në Gostivar nuk do të ketë census. Sipas tij, kjo është dëshmi e mjaftueshme se ata punuan dhe pritën që censusi të dështonte.
Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit Abedin Bilalli se si mund ta dinin rezultatin pa përfunduar procesi i votimit, Zenku u shpreh:
“Sondazhet dhe realiteti në terren me rrjedhën e fushatës tregonin qartë se Valbon Limani i AKI-së ishte favorit absolut, dhe këtë e dëshmuan edhe votat në kutitë e votimit. Kishim Limanin me 17 mijë vota në një anë, dhe dy kundërkandidatët e tjerë shqiptarë me 5 mijë vota së bashku. Kampi tjetër e dinte rezultatin dhe punuan që procesi të dështojë.”
Moderatori Bilalli kërkoi konfirmim edhe nga mysafiri Valbon Limani për pohimet e Zenkut. Limani tha që tentim për bojkot në ditën e zgjedhjeve ka pasur dhe ka qenë evidente.
Ky pohim, sipas Zenkut, verifikohet edhe me rezultatet e ditës së zgjedhjeve, ku kandidatit të VLEN-it i mungonin gati gjysma e votave krahasuar me votat totale që VLEN dhe partneri i tyre VMRO-DPMNE kishin marrë më herët në Gostivar. VMRO-DPMNE nuk nxori kandidat në këtë komunë dhe publikisht kishte deklaruar se do të mbështeste kandidatin e koalicionit qeverisës. Gazeta Flaka
tag_katrorimaqedoni_2