Numri i të rriturve në Britani që po pësojnë dëmtime të pariparueshme në hundë për shkak të përdorimit të kokainës është në rritje të ndjeshme, paralajmërojnë mjekët.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, britanikët konsumojnë rreth 117 tonë kokainë në vit, ndërsa vendi renditet i dyti në botë për nivelin e përdorimit të këtij narkotiku. Të dhënat e OKB-së tregojnë se 1 në 40 të rritur — rreth 2.7% e popullsisë — e përdorin drogën, më shumë se çdo vend tjetër europian.
Por mjekët paralajmërojnë se edhe ata që e përdorin drogën rastësisht janë në rrezik serioz.
Dr. Thomas Jacques, kirurg i veshit, hundës dhe fytit në “The Cadogan Clinic” në Londër, thotë se fenomeni i njohur si “coke nose” shkakton vrima në septumin e hundës për shkak të reduktimit të furnizimit me gjak, që më pas çon në shkatërrim të indeve.
Ai thekson se dëmtimet nuk lidhen më vetëm me “yuppies” apo bankierët stereotipikë të drogës – sot preken njerëz nga çdo shtresë shoqërore.
Rasti më i fundit publik është ai i Paris Jackson, e cila pranoi se ka një vrimë në mes të hundës si pasojë e nuhatjes së kokainës. Edhe ish-aktorja e “EastEnders”, Daniella Westbrook, vite më parë tronditi opinionin publik me dëmtimet e rënda të hundës.
“Edhe përdorimi i rrallë mund të shkaktojë dëme të rënda”
“Ju nuk keni pse të jeni përdorues i rëndë,” thotë Dr. Jacques.
“Sipas përvojës sime, disa pacientë pësojnë dëme të mëdha edhe nga sasi të vogla të përdorimit rekreativ. Nuk ka sasi të sigurt – mënyra e vetme për të shmangur dëmtimet është mos përdorimi i kokainës.”
Ai shton se shumë pacientë ndihen me turp të madh për dëmtimet, por klinikat përpiqen t’i trajtojnë pa gjykim, duke theksuar se problemet prekin meshkuj e femra, të rinj e të moshuar njësoj.
Si e dëmton kokaina hundën?
Kur thithet, kokaina shkakton ngushtim ekstrem të enëve të gjakut (vasokonstriksion).
Për përdoruesit e rrallë, kjo sjell rrjedhje të lehta apo fryrje.
Për organizma më të ndjeshëm, ose për përdoruesit e rregullt, inflamacioni dëmton furnizimin me gjak të indeve, duke sjellë pasoja serioze.
Dëmtimet më të zakonshme përfshijnë:
✔ Vrima në septumin e hundës
Sjell fishkëllim, gjakderdhje, kore dhe shpesh pacienti nuk e kupton se e ka.
✔ Rënien e urës së hundës (saddle nose deformity)
Bëhet më e zakonshme tek përdoruesit kronikë.
✔ Shkatërrimin e lëkurës midis vrimave të hundës
Krijohet një hapje e madhe — rasti i famshëm i Daniella Westbrook.
✔ Vrima në pjesën e jashtme të hundës ose në qiellzë (më e rrallë)
“Kam parë të gjitha këto raste,” thotë Dr. Jacques. “Disa janë shumë të vështira për t’u rikonstruktuar.”
Trajtimi – por vetëm pasi pacienti ndalon plotësisht përdorimin e drogës
Para çdo ndërhyrjeje, pacienti duhet të ndalojë kokainën.
Për vrimat e septumit, ndonjëherë mjaftojnë kremra, larje të hundës dhe shmangia e drogës.
Mund të vendoset një buton septal – një disk silikoni që mbyll vrimën dhe eliminon fishkëllimën.
Ka edhe operacione për riparim, por janë shumë të ndërlikuara dhe me sukses maksimal prej 70–80%, për shkak se septumi ka furnizim delikat me gjak.
Për vrima të vogla, përdoren “flap”-e të indeve brenda hundës, ndërsa për vrima të mëdha, mjekët mund të marrin ind lidhës nga skalpi.
Rinoplastika rikonstruktive
Rekomandohet për deformimet e jashtme të hundës (saddle nose).
Në NHS trajtohet vetëm septumi; operacionet më të avancuara plastike shkojnë deri në 15 mijë paund në sektorin privat. /GazetaExpress/