Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci - Gazeta Express
string(84) "denohet-me-6-vjet-burgim-i-akuzuari-per-sulm-e-kanosje-ndaj-gjyqtarit-shefqet-baleci"

Lajme

Gazeta Express

21/11/2025 14:46

Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

Lajme

Gazeta Express

21/11/2025 14:46

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues me të cilin i akuzuari D.Z., është dënuar me dënim unik prej 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

Aktgjykimi ndaj D.Z., u shpall të enjten nga gjyqtarja Valbona Përlaska, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari u dënua me 5 vjet burgim, kurse për “Kanosje” me 2 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet edhe për shpenzimet e procedurës penale- 20 euro për paushall gjyqësor dhe 20 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest juridiko-civil. Ndaj vendimit, lejohet ankesa në afat prej 30 ditësh.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit. D.Z., shpalljen e përcjelli nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

I akuzuari D.Z., në seancën e 17 nëntorit 2025, ka pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par.2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.