Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) si një nga hallkat më të rëndësishme të shtetit modern, në ceremoninë e 26-vjetorit të themelimit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se SHKK ka dëshmuar në dy dekada e gjysmë se drejtësia nuk kufizohet vetëm në dënim, por ka në thelb ndërtimin, përgjegjësinë dhe besimin.
“Asnjë shtet nuk mund të qëndrojë i drejtë pa forcën e rendit dhe ndërgjegjes dhe të drejtësisë. SHKK e mishëron këtë secilën ditë. Ky shërbim edhe pse pak i dukshëm për publikun në botën demokratike njihet si një nga hallkat më të rëndësishme të shtetit modern. Në këto 26 vite SHKK ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim, drejtësi është përgjegjësi është ndërtim dhe është besim. Fal punës suaj të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit por edhe të rehabilitimit dhe edukimi dhe riintegrimin e personave të dënuar”, tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se SHKK është transformuar në një institucion bashkëkohor që zbaton standardet e praktikat më të avancuara ndërkombëtare.
“Si në trajtim rehabilitime e riintegrim të personave të privuar nga liria. Gjatë tri viteve të fundit kemi shënuar përparim të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë fal ngritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, investimeve teknologjike dhe menaxhimit, kemi arritur afër 600 raste të parandalimit të kontrabandës numër ky i regjistruar për herë të parë në historinë e SHKK-së. Një segment thelbësor i punës sonë është rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të privuar nga liria. Vetëm gjatë periudhës së fundit në programet rehabilituese ne kemi përfshirë 1800 të burgosur krahasur me periudhën e kaluar”, tha ai.
Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, deklaroi se SHKK gjatë këtyre viteve SHKK ka dëshmuar profesionalizëm të dhe integritet të lartë.
“Jemi të inkurajuar të jemi këtu për të ndërtuar një institucion që bart mbi supe një mision delikat të domosdoshme për shtetin ligjor, SHKK. Një institucione që çdo ditë punon në sigurinë publike, respektimin e ligjit dhe një drejtësi që trajton me dinjitet çdo njeri. Gjatë këtyre viteve SHKK ka dëshmuar profesionalizëm të lartë, integritet”, tha ai.
Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, theksoi bashkëpunimin e gjatë me SHKK-në.
“Eulex ka punuar ngushtë me Shërbimin Korrektues të Kosovës që nga themelimi i tij në vitin 2008, dhe ne jemi krenarë ta përkujtojmë këtë ditë së bashku me ju. Përkushtimi juaj ka qenë thelbësor për avancimin e standardeve, forcimin e institucioneve dhe mbrojtjen e vlerave të ndryshimit që ne i shërbejmë së bashku”, tha ai.
Ai shtoi për një dekadë të plotë, kspertët korrektues të EULEX-it kanë kryer përgjegjësi ekzekutive, krah për krah me SHKK.
“Për një dekadë të plotë, nga viti 2008 deri në vitin 2018, ekspertët korrektues të EULEX-it kanë kryer përgjegjësi ekzekutive, krah për krah me shumë prej jush, si kolegë dhe bashkëpunëtorë. Eulex gjithashtu ofron këshilla për menaxhimin e të burgosurve me profil të lartë dhe të radikalizuar, dhe lehtëson në mënyrë aktive bashkëpunimin ndërmjet Shërbimit të Provës së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës. Qëllimi ynë i përbashkët është të forcojmë rrugët e rehabilitimit dhe riintegrimit për të gjithë të burgosurit, pavarësisht gjinisë, moshës, etnisë apo cilësdo tjetër karakteristike”, tha ai.
Ambasadori i OSBE-së, Gerard McGruk, çmoi rolin e SHKK-së në sistemin e drejtësisë.
“Gjatë 26 viteve të fundit, shërbimi juaj është zhvilluar në një shtyllë kyçe të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke avancuar kujdesin e sigurt, dinjitetin në trajtim dhe mundësi reale për rehabilitim dhe riintegrim. Arritjet tuaja flasin vetë. Në vitet e fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë hapa domethënës në forcimin e profesionalizmit operativ, rritjen e trajnimeve dhe modernizimin e protokolleve të sigurisë. Puna juaj për të përmirësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor, përfshirë mbështetjen psikologjike dhe psikosociale, dëshmon përkushtim në rritje ndaj dinjitetit dhe të drejtave të njeriut. Zgjerimi i programeve edukative dhe profesionale brenda institucioneve korrektuese ka hapur rrugë të reja për rehabilitim, duke ndihmuar në uljen e recidivizmit dhe duke u ofruar të dënuarve mundësi reale për t’u integruar në komunitetet e tyre. Që nga ditët e para, Misioni i OSBE-së ka qenë krenar t’ju shoqërojë në këtë progres”, tha ai./EO/