Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, i cili nuk arriti ta formonte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje, përveç se nuk arriti të gjejë partner për formim të Qeverisë, ajo as pas dy tentativave nuk arriti t’i siguroj as 61 vota për formimin as të Qeverisë ‘’Kurti 3’’ e as të Qeverisë ‘’Konjufca’’, përkundër çdo tentimi.
Për Kosovën, ky vit mund të cilësohet edhe si vit zgjedhor.
Me zgjedhje parlamentare kishte nisur viti, për të vazhduar me zgjedhje lokale, e tashmë me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare edhe do të përmbyllet.
Ish-deputeti i LVV-Guxo, Nezir Kraki, është shprehur optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar se pret një rritje të ndjeshme të mbështetjes për koalicionin.
“Pres të kemi më shumë se 50 deputetë në Kuvend. 50 deputetë minimum”, ka thënë Kraki.
Ish-deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka folur rreth mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të këtij viti.
Ai thotë se LDK nuk ka qenë kurrë më e gatshme për zgjedhje.
“Nuk kemi qenë kurrë me të gatshëm sepse jemi mësuar me zgjedhje’’, thotë ai.
Sipas tij, LDK pret rezultat më të mirë dhe do të del shumë më mirë se në zgjedhjet e fundit.
“Ajo që e themi është zgjedhje të reja, rezultat I ri, Qeveri e re’’, u shpreh Zogaj.
Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka folur rreth pritshmërisë së tij dhe të subjektit të tij politik, sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
I shkurtër në përgjigje, por megjithatë ai u shpreh optimist.
E tëra çka deklaroi ai se vitin e ri e presin me gëzim si PDK.
“Vitin e ri e presim pas 28 dhjetorit. Vitin e ri e presim me gëzim”, ka thënë Hasani.
Ish-deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka shprehur qëndrimin e partisë së tij rreth shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Prej seancës së pare, ku është propozuar Albulena Haxhiu për kryeparlamentare, ne në vazhdimësi kemi thënë dhe kemi kërkuar zgjedhje sepse e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, tha ai./Front Online