Shkencëtarët e NASA-s janë tronditur nga zbulimi i një guri misterioz në Mars, i cili duket se “nuk i përket atij planeti”.
Roveri Perseverance gjeti këtë gur pranë skajit të kraterit Jezero, me diametër 45 kilometra, që ekspertët besojnë se dikur mund të ketë përmbajtur ujë dhe ndoshta jetë.
Guri, i quajtur Phippsaksla, ka madhësi 80 centimetra dhe u dallua menjëherë për pamjen e tij të “skulpturuar”. Tani shkencëtarët besojnë se ai mund të ketë origjinë nga ndonjë vend tjetër i sistemit diellor.

Çfarë zbuloi Perseverance
Perseverance përdori instrumentin SuperCam për të analizuar përbërjen e gurit, duke ngrohur një pjesë të tij me një laser të fuqishëm.
Rezultati: Phippsaksla ka përqendrim jashtëzakonisht të lartë hekuri dhe nikeli, një kombinim i pazakontë për kraterin Jezero.
“Ky kombinim elementi zakonisht gjendet tek meteoritet hekuri-nikeli, të formuara në bërthamën e asteroideve të mëdha. Kjo sugjeron se guri është formuar diku tjetër në sistemin diellor,” shkruan në blogun e NASA-s Dr. Candice Bedford, gjeologe nga Universiteti Purdue dhe operatore e Perseverance.

Një meteor i rrallë në Mars
Gjetja e një meteoriti në Mars nuk është e paparashikueshme, por përqendrimi i lartë metalik e bën Phippsaksla të veçantë.
“Mars goditet nga meteorë çdo ditë, por vetëm rreth 1 në 20 është i pasur me hekur dhe nikel. Këto meteorite janë shumë rezistente ndaj ndryshkjes kimike dhe kanë më shumë gjasa të mbijetojnë rënien përmes atmosferës planetare,” thotë Prof. Gareth Dorrian, nga Universiteti i Birmingham.
Meteoritet e ngjashme janë gjetur më parë nga roveri Curiosity në kraterin Gale, si meteoriti i madh metalik ‘Lebanon’.

Çfarë do të thotë ky zbulim
Për shkencëtarët e NASA-s, natyra e pazakontë e Phippsaksla-s kërkon analizë të mëtejshme për të konfirmuar nëse guri është vërtet meteor.
Nëse konfirmohet, Perseverance do të bashkohet me roverët e tjerë që kanë studiuar këta vizitorë të rrallë nga hapësira.
Ky nuk është zbulimi i vetëm i çuditshëm i Perseverance. Në gusht, roveri fotografoi një objekt të çuditshëm që dukej si “helmetë”, i mbuluar me toptha të vegjël të njohur si sferula, të formuara nga shkëmbinj të shkrirë gjatë shpërthimeve vullkanike ose përplasjes me meteorë.

Mars: Fakte bazë
Planeti i katërt nga Dielli
Sipërfaqja: 144.7 milion km²
Graviteti: 3.721 m/s²
Hëna: Phobos, Deimos
Një ditë: ~24 orë
Një vit: 687 ditë tokësore
Mars është një planet i ftohtë, pluhuror dhe me atmosferë të hollë, por gjithashtu ka kanione, vullkane të fjetura dhe akullnaja polare, dhe është planeti më i eksploruar nga roverët njerëzorë. /GazetaExpress/