Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Pak më herët, Osmani priti edhe të ngarkuarën me punë të ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën po ashtu foli për këtë çështje.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Në këtë frymë, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, ashtu siç ishte diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë”, tha Presidenca në njoftim.