Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, i ka bërë një përmbledhje të shkurtër vizitës së tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes një video adresimi. Kryediplomati gjerman, ka theksuar se, secila nga vendet e këtij rajoni i kanë temat dhe problemet e veta, shkruan Gazeta Express.
Ai ka treguar se cilat kanë qenë vizita e tij e parë si dhe ajo e fundit, gjatë këtyre ditëve.
‘‘Pra gjashtë vende, dy ditë e gjysmë në tre minuta — një përmbledhje e shkurtër nga unë: fillimisht isha në Bosnjë-Hercegovinë, më pas në Mal të Zi, pastaj në Shqipëri, pastaj në Serbi, më pas në Kosovë dhe në fund në Maqedoninë e Veriut. Secili prej këtyre vendeve ka temat e veta, secili prej tyre ka problemet e veta’’, ka thënë ai.
Në deklarimin e tij, ai ka veçuar Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke thënë se këto dy vende janë në një rrugë mjaftë të mirë të negociatave, edhe pse u kanë mbetur edhe ‘’disa hapa reformash’’, drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
‘’Dy prej tyre janë të ashtuquajtur ‘frontrunners’ — këto janë Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato janë tashmë në një rrugë mjaft të mirë në negociatat e tyre. Edhe aty ka ende disa hapa reformash për t’u bërë, por nëse vazhdojnë kështu, mund ta arrijnë që brenda disa viteve të bëhen pjesë (e BE-së)’’, ka deklaruar ai.
Ai ka folur edhe për vendet e tjera të rajonit, ku përfshihet edhe Kosova, duke thënë se këto vende janë ‘’më larg’’ anëtarësimit në BE krahasuar me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
‘’Të tjerët e duan gjithashtu këtë, por janë më larg. Unë u përpoqa t’ua bëja të qartë të gjithëve se Gjermania qëndron në krah të këtyre vendeve. Sepse, nëse e sheh hartën, e kupton shpejt se ky është vërtet një pjesë e Evropës — i përket gjeografikisht Evropës, i përket historikisht Evropës, i përket kulturorisht Evropës. Mendoj se do të ishte një pasurim nëse këto vende do të përfshiheshin’’, ka theksuar ai.
Pos këtyre, kryediplomati gjerman ka folur edhe për situatën mes shteteve, duke theksuar se ‘’armiqësitë e hapura janë ende të pranishme’’, dhe se sigurisht që evropianët duan të parandalojnë të ndodh diçka si luftrat e viteve ’90.
Ai ka folur edhe për ndikimin që Rusia mund të ketë në rajon, duke thënë se BE nuk dëshiron që ky shtet të ketë ndikim në këtë rajon
‘’Gjëja e dytë është, sigurisht, që ne nuk duam që të tjerët të kenë ndikim këtu, të cilët shpesh punojnë kundër Evropës, si për shembull Rusia, e cila është e përfshirë shumë fuqishëm në këtë rajon. Në këtë drejtim, edhe ne kemi interes të marrim pjesë. Dhe nuk duhet ta harrojmë se në këto vende, pothuajse në të gjitha, edhe pse jo kudo, ndodhën luftërat civile më të tmerrshme në vitet ’90. Dhe armiqësitë, madje edhe armiqësitë e hapura, janë ende të pranishme. Natyrisht që duam të parandalojmë që diçka e tillë të mund të ndodhë përsëri në mes të Evropës dhe të japim një kontribut për pajtim, për ribashkim. Kjo funksionon më së miri brenda Evropës. Prandaj ishim edhe me ushtarët e të ashtuquajturave trupa KFOR, të cilët tani po sigurojnë sigurinë atje. Një parakusht që procesi i pajtimit të ecë përpara në tërësi. Për mua ishte e rëndësishme t’u falënderoja ushtarëve tanë për shërbimin e tyre të jashtëzakonshëm’’, ka thënë ai.
Në fund, kryediplomati gjerman, ka theksuar se në Evropë kufijtë nuk luajnë më rolin vendimtar. Kalimi i kufirit ka diçka pajtuese, diçka që lidh, dhe se, kjo tregon se çfarë force pajtuese.
‘’Në Evropë, kufijtë nuk luajnë më rolin vendimtar. Kalimi i kufirit ka diçka pajtuese, diçka që lidh. Nëse mendoni, për shembull, për Tirolin e Jugut gjermanofolës në Itali, kjo tregon se çfarë force pajtuese dhe lidhëse mund të zhvillojë Evropa, Bashkimi Evropian. Dhe prandaj ky është një drejtim i mirë për këtë rajon. Faleminderit për interesimin tuaj”, ka përfunduar Wadephul. /GazetaExpress