Kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, Kosovën e la të parafundit në vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor. Në Prishtinë ai solli mesazhin e vendit të tij se Gjermania pret që në Kosovë të ketë një “qeveri të aftë” për të vepruar si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Në X për vizitën e tij në Kosovë bëri dy postime. Te asnjëri s’e përfshiu kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gazeta Express
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, nisi një vizitë në Ballkanin Perëndimor me qëllim shfaqjen e mbështetjes gjermane për rrugën drejt Bashkimit Europian të rajonit.
Në Prishtinë ai fillimisht u prit nga presidentja Vjosa Osmani, me të cilën mbajti edhe një konferencë për media në të cilën bëri thirrje për një qeveri të re pas ngërçit disamujor të formimit të institucioneve.
“Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muaj. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë edhe një qeveri stabile”, tha ai.
Thirrjet e tij u bënë një ditë para se Glauk Konjufca i Vetëvendosjes të dështonte në sigurimin e mbështetjes në Kuvend për të bërë ekzekutivin.
Përveç Osmanit, Wadephul takoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilin nuk e takoi në zyrën e tij, sipas një vendimi të BE-së, por në një sallë Kuvendi.
Takimin me të s’e pa të rëndësishëm për ta përfshirë në postimet e tij në X ku për vizitën e tij në Kosovë shkroi dy herë për dallim nga vendet e tjera të rajonit.
Në të parin, kryediplomati gjerman përmendi takimin me Osmanin dhe përsëriti se dialogu me Serbinë është kyç për rrugën përpara të Kosovës.
“Takimi me presidenten Vjosa Osmani dhe vizita te trupat tona të KFOR-it nënvizon rëndësinë që Gjermania i kushton stabilitetit të Kosovës. Progresi në dialogun e udhëhequr nga BE-ja me Serbinë është çelësi për normalizimin e qëndrueshëm – dhe rrugën e Kosovës përpara. Gjermania mbetet një partnere e ngushtë”, tha ai.
Meeting @VjosaOsmaniPRKS and visiting our #KFOR troops underscores the importance Germany attaches to #Kosovo‘s stability. Progress in the EU-led Dialogue with Serbia is key for lasting normalisation – and Kosovo’s path forward. Germany remains a close partner. pic.twitter.com/Lir4Ph0BSh
— Johann Wadephul (@AussenMinDE) November 18, 2025
Në të dytin që e shkroi në gjermanisht, Wadephul foli për rëndësinë e KFOR në mbajtjen e stabilitetit në rajon dhe falënderoi ushtarët gjermanë për shërbimin.
“Sot vizitova trupat tona të KFOR’it në Kosovë. Misioni më i gjatë i Bundeswehr-it, së fundmi i zgjatur përsëri nga Bundestagu, është një shtyllë e stabilitetit në rajon. Falënderime të përzemërta për të gjitha ushtaret dhe ushtarët për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për vendin tonë!”, shkroi ai.
Heute habe ich unsere @NATO_KFOR -Truppen in #Kosovo besucht. Der längste Einsatz der #Bundeswehr, kürzlich vom Bundestag erneut verlängert, ist ein Anker für die Stabilität der Region. Herzlichen Dank an alle Soldatinnen & Soldaten für Ihren großartigen Einsatz für unser Land! pic.twitter.com/DpLxkwu9HI
— Johann Wadephul (@AussenMinDE) November 18, 2025
Wadephul në Prishtinë përsëriti pritshmëritë e Gjermanisë për Kosovën që të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit të plotë, përfshirë themelimin e Asociacionit.
“Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë shumë shpejt përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, që i përmban të gjithë elementët relevantë për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe në plotëni. Këtë e presim nga të dyja palët dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.
Ai dha zotimin se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës derisa zgjerimin e BE-së e konsideroi “urgjencë gjeopolitike”.