BE e zhgënjyer me krizën politike dhe zgjedhjet e parakohshme: Presim që Kosova të kthehet në rrugën e duhur - Gazeta Express
string(107) "be-e-zhgenjyer-me-krizen-politike-dhe-zgjedhjet-e-parakohshme-presim-qe-kosova-te-kthehet-ne-rrugen-e-duhur"

Lajme

Gazeta Express

20/11/2025 14:27

BE e zhgënjyer me krizën politike dhe zgjedhjet e parakohshme: Presim që Kosova të kthehet në rrugën e duhur

Lajme

Gazeta Express

20/11/2025 14:27

Dështimi i dyfishtë i Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar 61 vota për votimin e qeverisë së re, ka bërë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të marrë vendim për shpërbërjen e Kuvendit dhe për caktimin e 28 dhjetorit si datë për zgjedhjet e parakohshme, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Komisioni Evropian kanë thënë se Brukseli është në dijeni për dështimin e seancës së dytë për votimin e të mandatuarit për kryeministër dhe se shpreh keqardhje që partitë politike nuk e kapërcyen bllokadën politike disa mujore pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.

Nga Brukseli kanë përmendur edhe dështimin për të miratuar në Kuvendin e Kosovës planin e Reformës dhe të Rritjes që do t’i siguronte miliona euro Kosovës.

“Është gjithashtu për të ardhur keq që partitë politike nuk kanë qenë në gjendje deri më tani të bien dakord për çështjet kryesore, përfshirë ratifikimin e planit të Reformës dhe Rritjes (i cili parashikon deri në 882 milionë euro për Kosovën), edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Huasë nga Kosova dhe Komisioni një javë më parë”, ka thënë për Express një zëdhënës i Komisionit Evropian.

BE gjithashtu shpreh shqetësim për gjendjen në RTK të krijuar si rezultat i bllokadës politike.

“Ne gjithashtu përsërisim shqetësimet tona të mëparshme në lidhje me transmetuesin publik të Kosovës – RTK. Transmetuesi publik i Kosovës është gjithnjë e më shumë në një situatë kritike, një pasojë e drejtpërdrejtë e bllokimit aktual institucional. Është thelbësore që një kandidat potencial i BE-së të mundësojë financim të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm, si dhe të mbështesë operacionet e transmetuesit të saj publik”, ka shtuar ky zëdhënës i BE-së.

Në fund, nga Brukseli zyrtar thonë se presin që Kosova të kthehet në rrugën e duhur, duke punuar për reforma në të mirë të popullatës dhe përparuar në procesin e normalizimit me Serbinë.

“Kosova duhet të ketë kapacitetet për të vepruar. Në këtë kontekst, ne presim që Kosova të kthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, në të mirë të popullsisë së saj dhe në përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës dhe të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, ka përfunduar ky zëdhënës./GazetaExpress/