Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e sotme u pyet edhe nëse “u bind gabimisht” për mandatimin e Glauk Konjufcës që s’gjeti mbështetje për formimin e qeverisë.
“Ditën kur është kërkuar mandati, kam pasë një takim me të dhe më ka informuar qartë se me kë ka biseduar. E kam thënë publikisht se është fjala për deputetë individualë. Ai ka qenë vetëm pak vota larg krijimit të qeverisë dhe Kushtetuta kërkon që t’i jepet mandati atij që i ka gjasat dhe jo garancat. Pra, dikush që vjen deri te 56 vota dhe tregon qartë se më kënd është duke biseduar për të arritur 61-ishin i ka gjasat. Më tregoni ju kush ka qenë kandidati tjetër me gjasa më të mëdha”.
Ajo iu referua Kushtetutës dhe tha se ajo është e qartë për “ata që e lexojnë drejt dhe pa ngjyrime të urrejtjes”.
“Kjo Kushtetutë kërkon që pas mandatarit të parë të ketë mandatar të dytë dhe këtë kam bërë pavarësisht akuzave që vijnë e shkojnë, le të vazhdojnë, nuk ka problem”./Express/