“Mirëdita, dobar dan” do të hapet sonte me fillim nga ora 19:30 në Defy Them me fjalë mirëseardhëse nga z. Rainer Rudolph – Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, si dhe nga organizatorët e festivalit. Menjëherë pas tyre, nata do të vazhdoj me një koncert live nga një prej yjeve në ngritje të skenës indie të Beogradit.
Në ditët e festivalit do të jipen shfaqje, hapen ekspozita, do të promovohen libra e do të mbahen diskutime.
Më 21 nëntor, ne ditën e dytë të festivalit do të mbahet diskutim dhe reflektim letrar: Paqja në kohën e trazirave. Do të marrin pjesë edhe autorët dhe autoret e rrëfimeve në librat Momenti kur për mua nisi lufta dhe Momenti kur për mua nisi paqja, të botuara nga Pro Peace. Ata do të ndajnë përvojat dhe mendimet e tyre personale mbi luftën, paqen dhe pajtimin, duke hapur mundësinë për të kuptuar anën njerëzore të temave politike.
Në të njëjtën datë hapet ekspozita dhe biseda me artistët nga ora 15:00 në Qendrën Barabar. Në ekspozitë shfaqen veprat e artistit Ivan Šuletić (Falsa Imagine) dhe të *Nemanja Joković dhe Mihaela Vučinić (Do you want to flatten all layers before saving?).
Artisti beogradas Ivan Šuletić eksploron kufijtë ndërmjet vizatimit, pikturës, instalacionit, skulpturës dhe videos. Ka ekspozuar veprat brenda dhe jashtë vendit, ndër të tjera edhe në edicionin e 60 të Sallonit të Tetorit në Beograd, ndërsa është fitues i disa çmimeve për vizatim dhe pikturë bashkëkohore.
Nemanja Joković dhe Mihaela Vučinić përfaqësojnë brezin e ri të artistëve dhe sjellin një perspektivë të re mbi artin bashkëkohor.
Pas hapjes së ekspozitës do vazhdohet me një bisedë me artistët, gjatë së cilës vizitorët do të mund të mësojnë më shumë rreth proceseve, ideve dhe koncepteve që fshihen prapa veprave të ekspozuara.
Nga ora 19:00, në Barabar luhet shfaqja “Të gjitha Barbie të mira” e cila është bazuar mbi romanin me të njëjtin emër nga Katarina Mitrović, në regji të Đorđe Nešović, me dramatizim dhe përshtatje nga Isidora Milosavljević. Rolet i luajnë: Aleksandra Arizanović, Julija Petković dhe Nevena Kočović.
Në tregimin e një gruaje të re, të pakompromis, e cila kthehet në qytetin e lindjes në prag të ditëlindjes së saj të tridhjetë, drama shpërfaq shtresa të disfatave personale, të vërtetave të pathëna dhe plagëve të fëmijërisë që nuk pushojnë kurrë së dhemburi.
Më 22 nëntor mbahet debat dhe promovim i librit “Nyja e Kosovës në kohë protestash masive në Serbi”. Në debat do të trajtohet kriza aktuale politike në Serbi dhe protestat masive të studentëve që shpërthyen pas shembjes tragjike të kulmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, me ç’rast 16 persona kanë humbur jetën dhe një ishte plagosur rëndë.
Biseda do të ofrojë kontekst më të gjerë shoqëror dhe politik të këtyre protestave dhe të eksplorojë implikimin e tyre në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të eventit do të mbahet edhe promovimi i botimit “Kronologjia e Kosovës 2.0”, botuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Libri paraqet hulumtime nga autorë/e të rinj/reja mbi zhvillimet kryesore politike dhe shoqërore në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2018 deri në 2023.
Nga ora 17:00 mbahet natë poezi me Radmila Petrović. Radmila Petrović (1996, Uzhicë, Serbi) është një nga poetet më të kërkuara në ish-Jugosllavi. Është autore e përmbledhjeve me poezi “Miris zemlje” (2014), “Celulozni rockenrol” (2015) dhe “Moja mama zna šta se zna šta se dešava u gradovima” (2020, 2025), të shitura në mbi 13,000 ekzemplar dhe të botuara në Gjermani, Poloni, Slloveni, Çeki, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa janë duke u përgatitur botime në spanjisht, italisht, hungarisht dhe kroatisht.
Romani i saj në vargje “Nisam znala šta nosim u sebi” (2025) u shit në më shumë se 5,000 ekzemplar në katër muajt e parë. Poezi të zgjedhura do të lexohen edhe në shqip, të interpretuara nga Albina Krasniqi.
Nga ora 20:00 shfaqet filmi “78 dana” me regji të Emilija Gašić. Regjisorja serbe, fituese e çmimeve, Emilija Gašić (1991, Jugosllavi), e cila aktualisht jeton në Nju Jork, ka të kryer master në regji filmi në NYU Tisch School of the Arts. Rritja në një qytet të vogël, e rrethuar nga lajmet e luftës dhe një vendi në shkatërrim e sipër, ka formësuar një qasje vëzhguese dhe ndjesi për të krijuar tension dhe atmosferë në film.
Filmi ndjek motrat Sonja (17) dhe Dragana (15), pak para mobilizimit të babait të tyre të gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999. Ato nisin një video ditar në Hi8, duke incizuar mbi regjistrime të mëparshme që kohë-pas-kohe shfaqen ndërmjet skenave të reja. Ditët kalojnë derisa incizojnë natyrën paqësore rreth vetes, qiellin drithërues të natës gjatë sulmeve ajrore dhe lojën me motrën e saj shtatëvjeçare, Tianën. Bota e tyre ndryshon kur një djalë misterioz dhe motra e tij e turpshme vijnë nga Beogradi dhe vendosen në shtëpinë e fqinjit, duke sjellë miqësi të reja, puthje të para dhe zhgënjime të para që përkohësisht zbehin frikën nga bombardimet.