Anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të deyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bazohet në energjinë e qartë të një puçi institucional.
“Propozimi për shkakrimin e zotit Kelmendi bazohet në një energji të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimist mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Krasniqi tha se prapa gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
“Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai.
Anëtari Krasniqi tha se kjo situatë dëshmon se largimi i pesë anëtarëve të KPK-së nuk ishte bojkot, por ishte vendim për ta parandaluar një vendim të paligjshëm.
“Kjo situatë dëshmon se largimi i pesë anëtarëve nuk ka qenë bojkot apo sabotim, por një ndërhyrje e domosodoshme për të mbrojtur ligjin dhe për të parandaluar një vendim të paligjshëm i cili do t’i shkaktonte dëm serioz sistemit prokurorial”, tha ai.
Ai përmes konferencës për medie, ftoi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për të vlerësuar situatën dhe sigurinë juridike në vend, e po ashtu Policinë e Kosovës që të kujdeset për sigurinë e anëtarëve që janë prezent në këtë konferencë.