Besim Kelmendi pas vendimit të Këshillit Prokurorial me të cilin u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka thënë se do i drejtohet organeve kompetente të cilat e kanë të drejtën për të pezulluar ose shqyrtuar vendimin e sotëm.
“Unë ende nuk kam marrë vendim për këtë çështje. Në momentin që ta marrë vendimin, jap të drejtat e mia ligjore për t’u drejtuar tek organet kompetente dhe gjyqësore dhe ato kanë të drejtën e vetë që këtë vendim ta pezullojnë ose ta shqyrtojnë dhe varësisht prej vendimeve të gjykatës do të veproj edhe unë”, tha ai.
Kelmendi tha në një konferencë për medie, se do e respektojë vendimin e gjykatës dhe organeve kompetente lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë e respektoj gjithmonë vendimin e gjykatës dhe vendimet e organeve kompetente”, tha ai.
Përveç kësaj, ai refuzoi që të përgjigjet se cili është emri i personit për të cilin kishte deklaruar se kishte shkuar dhe e kishte shikuar gjatë intervistimin në Prokurori.
“Unë po rezervohem dhe nuk po dua të përmend emra dhe ju besoj që e keni kuptuar të gjithë se për kë po bëhet fjalë”, u shpreh Kelmendi.
I pyetur se po pretendohet se kjo është e përgatitur nga Blerim Isufaj, por që ky i fundit nuk u zgjodh, Kelmendi tha se atyre iu duhet një njeri që të votojë sipas dëshirave të tyre, duke shtuar se nuk e ka fjalën për Qelajn.
“Atyre pesë vetave që kanë vepruar kundërligjshëm sot do t’iu duhet edhe një njeri që të votojë sipas dëshirave të tyre. Nuk aludoj në kolegun tim i cili sipas atij vendimi të kundërligjshëm është caktuar. Kam shumë respekt të madh për të dhe nuk e di se si do të veprojë ai pasi ta marrë vendimin. Kështu që të jemi shumë korrekt me kolegun tim”, tha ai.