Anëtarët që ishin kundër shkarkimit të Besim Kelmendit bashkë me këtë të fundit kanë mbajtur konferencë për media.
Visar Krasniqi, anëtar i KPK’së nga shoqëria civile tha se “nuk kemi pasur njoftim për vazhdimin e mbledhjes, për çka ai vetë konstatoi se nuk ka kuorum për të vazhduar tutje. Çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi është akt inekzistent dhe nuk prodhon kurrfarë efekti juridik”.
“Besim Kelmendi vazhdon detyrën”, shtoi ai.
Më pas, anëtari tjetër Arian Gashi, tha se kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore.
“Unë i bëj thirrje zyrës së kryeprokurorit të shtetit që t’i ushtrojnë autorizimet e tyre ligjore në raport me hetimin e këtyre veprimeve që kanë ndodhur sot, sepse janë vendime të kundërligjshme”, tha ai.
Ndërsa anëtari tjetër, Veton Shabani, tha se “ka indikacione që do të ketë edhe veprime tjera të kundërligjshme, përkatësisht vendime të tilla… dhe sipas informacioneve që kemi target mund të jetë edhe drejtori i sekretariatit të KPK dhe anëtarët e KPK përmes procedurave disiplinore si formë shantazhi kundër nesh, por që ne natyrisht do të zbatojmë vetëm ligjshmërinë”, tha ai.
Dardan Vuniqi: “I bëj ftesë Policisë, AKI dhe mekanizmave tjerë të sigurisë që të shtojnë një dozë kujdesi në raport me ne dhe angazhimin tonë këtu, sepse ne po mundohemi të parandalojmë një dualizëm institucional.”
Besim Kelmendi që u shkarkua sot tha se vendimi ishte i kundërligjshëm.
“Jemi të përkushtuar për të ndjekur vetëm ligjin. Unë s’kam pranuar vendim, përveç asaj që kam parë në media. Nuk e di se çka do të shkruajnë në atë vendim dhe si do ta arsyetojnë atë vendim që është nxjerrë në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore. Do të jem i lumtur të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje nga organet kompetente”.
“Atyre pesë vetëve që kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme pa kuorum sot, i duhet edhe një njeri që do të votojë sipas dëshirave të tyre”, tha Kelmendi duke shtuar se ka respekt të madh për Qalajn, që u caktua në vend të tij. /GazetaExpress/