“Opozita” 21 dhjetorin e “pushteti” 28 dhjetorin. Partitë politike s’kanë arritur pajtueshmëri për datën e zgjedhjeve të reja. Por, ky vendim i takon presidentes, e cila ende nuk dihet se për cilën datë ka vendosur. Këtë pritet ta bëjë publike sot në konferencën e paralajëmruar për në 13:00.
Gazeta Express
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka shpërndarë legjislaturën e nëntë, pasi dy mandatarë – një herë Kurti e një herë Konjufca- dështuan ta formojnë Qeverinë.
Sipas afateve, tashmë janë dy data kur mund të mbahen zgjedhjet e reja – 21 dhe 28 dhjetori.
PDK, AAK e Nisma u deklaruan se janë për datën 21 dhjetor.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se është arrogancë që të mbahen zgjedhjet më 28 dhjetor, pasi sipas tij është periudhë e festave.
“Pushteti po kërkon 28 dhjetor, ajo periudhë është një periudhë shumë e çmuar e familjeve tona, e qytetarëve tonë, shumë ngjarjeve festive. Është një arrogancë, një përbuzje, me u shpall zgjedhjet më 28 dhjetor, në periudhën e pushimeve dimërore, që pastaj me mbet me numërime e rezultate edhe natën e vitit të ri”, tha ai.
Ndërsa kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, tha se vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të udhëhiqet nga parimet e neutralitetit, transparencës dhe garantimit të një procesi zgjedhor të besueshëm dhe të drejtë.
Tjetër preferencë ka Guxo që deri tani ka qenë në koalicion me VV’në.
I pari i kësaj partie, Faton Peci, pas takimit tha se preferojnë datën 28 dhjetor.
“Ne mendojmë se data më e favorshmja, më e përshtatshmja, për qytetarin, për mërgatën, për institucionin, është data 28 dhjetor’’, ka deklaruar ai.
Express mëson se në takimin te Osmani qëndrim të njëjtë ka shpalosur edhe Kurti – pra datën 28 dhjetor.
Pavarësisht preferencave të partive, diskrecioni për datën i takon presidentes Osmani.
Tashmë është bërë e ditur se Osmani do të mbajë konferencë në ora 13:00, ku pritet të njoftojë për vendimin. /GazetaExpress/