Një vjedhje ka ndodhur dje në Carrabreg të Deçanit.
Nga ora 15:00 deri në 18:00, persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e M. K., pronar i furrës së bukës “Evropa”, duke hyrë përmes një dritareje të katit të dytë dhe kanë marrë kasafortën e hekurt që ndodhej në dhomën e fjetjes.
Sipas ankuesit, brenda kasafortës ndodheshin 150 mijë euro para të gatshme, si dhe stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro.
Sinjali raporton se ai ka deklaruar se këto para i kishte kursyer nga biznesi ndër vite, ndërsa një pjesë ia kishin dhënë miqtë e tij për shërimin e nipit jashtë vendit, në Turqi.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve të stacionit, të cilat kanë njoftuar prokurorin kujdestar, hetimet rajonale, forenzikën dhe kanë kërkuar edhe angazhimin e njësisë K-9. Deri tani nuk ka persona të dyshuar, ndërsa rasti është nën hetime.