Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurit të Shtetit, Besim Kelmendi në mbledhjen e Këshillit pasi u propozua shkarkimi i tij nga kjo pozitë, tha se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
“Ndoshta ia ka shkruar ai që është zëdhënësi i tyre”, tha Kelmendi derisa po debatonte me Grantollin pasi ajo propozoi në rend dite shkarkimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërkaq, Grantolli tha se Kelmendi po e fyen, duke i kërkuar ta lëshojë sallën, me arsyetimin se po qëndron në sallë në konflikt interesi.
Grantolli debatoi me Kelmendin duke i thënë se nuk ka të drejtë të qëndrojë në sallën ku diskutohet për shkarkimin e tij, duke i thënë se po e shkel rregulloren.
Kelmendi tha që opinioni duhet ta dijë që e gjithë kjo është një plan, ngase po planifikohet që të vije në vend tij një person të cilin ai e ka përkrah vazhdimisht.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore ku jam dëgju si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë- për me shiku a jam unë ai që po po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.
Ai shtoi se asnjëherë nuk ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.