Kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti ka reaguar pas raportimeve të mediave serbe së lidhur me një ngjarje të ndodhur në zonën e Zarbicës, e cila ka shkaktuar shqetësim të panevojshëm në opinion.
Në reagimin e tij, Pajaziti theksoi se gjuetarët e përfshirë në këtë rast kanë qenë në atë zonë në mënyrë të rregullt, të pajisur me leje për gjah dhe me armë të regjistruara. Ai sqaroi se ata kanë bashkëbiseduar dhe kanë qëndruar me pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, takim që sipas tyre, ka qenë miqësor dhe pa asnjë situatë të pazakontë.
“Kjo ngjarje nuk përmban asnjë element që tregon për ndonjë qëllim të keq nga ana e gjuetarëve. Të shtënat e dëgjuara kanë qenë pjesë e procesit të gjahut, si çdo të diel në atë zonë”, tha Pajaziti, duke shtuar se ka bindjen e plotë se personat e përfshirë nuk kanë faj dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për askënd.
Ai kritikoi ashpër disa media që kanë raportuar për “sulm ndaj ushtrisë” ose për “arratisje me gjashtë xhipa drejt Kosovës”, duke i cilësuar këto si skenarë të pavërtetë që vetëm sa rrisin tensionet artificiale. Pajaziti kujtoi gjithashtu se edhe autoritetet kosovare kanë mohuar ndonjë incident në territorin e tyre.
Kryetari theksoi rëndësinë e një hetimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent nga institucionet shtetërore. “Presim që policia dhe ushtria të dalin me informacion zyrtar që sqaron plotësisht ngjarjen, duke mos lënë hapësirë për interpretime të rreme apo përpjekje për të inskenuar situata që dëmtojnë qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Pajaziti rikujtoi se Bujanoci është një komunë ku qytetarët jetojnë në paqe dhe respektojnë ligjin, duke theksuar se askush i pafajshëm nuk duhet të vihet padrejtësisht në qendër të një skene që nuk ka lidhje me realitetin.
Kujtojmë se ishin mediat serbe ato që raportuan për një incident të armatosur në zonën e Zarbicës, kryesisht duke u mbështetur në burime jozyrtare brenda strukturave të sigurisë së Serbisë.
Sipas këtyre mediave, një grup i “maskuar shqiptarësh” kishte qëlluar rreth 15 herë drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë pranë bazës ushtarake “Debela Glava”, duke pretenduar se personat e armatosur më pas ishin larguar me gjashtë automjete të tipit xhip në drejtim të territorit të Kosovës.
Megjithatë, raportimet nuk u shoqëruan me ndonjë deklaratë zyrtare të ushtrisë serbe, ndërsa burime të tjera, theksuan se pretendimet mbeteshin të pakonfirmuara dhe se mediat serbe po raportonin bazuar në informacione të pakontrolluara.
Policia e Kosovës, në anën tjetër ka mohuar se ka ndodhur ndonjë incident i tillë, ndërsa kërkoi nga mediat që mos të publikojnë informacione të pasakta që i kontribuojnë rritjes së tensioneve në zonat kufitare.