Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të enjten, anëtarja e Këshillit, Jehona Grantolli propozoi si rend dite shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit lidhur me pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, që është pozicionuar me një grup të caktuar të anëtarëve të KPK-së dhe nuk përfaqëson unitetin e Këshillit Prokurorial për çka është zotuar, si dhe duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme të cilat janë publike, tashmë që Këshilli Prokurorial të propozojë shkarkimin e u.d Kryeprokurorit të Shtetit, kërkoj që kjo pikë e rendit të ditës sot të futet në takimin e Këshillit Prokurorial si pikë e rendit të ditës me propozim për shkarkimin e tij”, tha Grantolli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Anëtarja shtoi se kishte qenë ajo që kishte propozuar Kelmendin për ushtrues detyre në këtë pozitë.
“Para tri viteve, përkatësisht unë si anëtare kam propozuar ushtruesin e detyrës, madje kemi bërë një luftë mes anëtarëve që të propozohet Besim Kelmendi që gjatë karrierës së tij ka performancë të shkëlqyer dhe për profezionalizmin e tij që është shumë e vërtetë. Por, me kalimin e kohës, janë bërë më shumë se tri vite që ne për shkak të një vendimi politik të Presidentes për të mos dekretuar Kryeprokurorin e Shtetit, Blerim Isufaj, që unanimisht e kemi votuar si kandidat më i mirë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të vetëdijshëm se ishim në një situatë të vështirë, atëkohë është menduar se prokurori më i mirë është prokurori Besim Kelmendi”, tha Grantolli.
Sipas Grantollit, kohën e fundit janë krijuar shumë debate, e që zotimi i tyre është drejtësia.
“Por, besoj se opinioni dhe të gjithë ne i kemi ndjek të gjitha zhvillimet e fundit, janë krijuar shumë debate që nuk na shërbejnë. Ne jemi zotuar të bëjmë drejtësinë, por jo drejtësinë e shkruar në letër, jo atë që shfaqet në slogane e deklarata formale, por që garanton barazi e ndërton besim te publiku”, tha ajo.
Gjatë diskutimit në këtë takim, anëtari Visar Krasniqi lëshoi mbledhjen.
Ndryshe, në një konferencë të jashtëzakonshme të mërkurën, u.d Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, tha se dikush me çdo formë po dëshiron të vijë në pozitën të cilën aktualisht po e ushtron. Tha se shkrimet e fundit të tij janë shpifje, ndërkaq foli për punën që ka bërë në Gjykatën e Qarkut dhe ftesën për të dëshmuar si dëshmitar për rastin e masakrës së Reçakut.