Departamenti amerikan i Drejtësisë do të publikojë dosjet nga hetimi i tij ndaj Jeffrey Epstein brenda 30 ditësh. Këtë ka deklaruar këtë të mërkurë Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi pasi Kongresi votoi pro publikimit të dosjes.
Në një konferencë për shtyp, Bondi konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë do të publikojë materialet e saj në lidhje me Epstein brenda 30 ditëve, siç kërkohet nga legjislacioni që miratoi dje Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e kontrolluar nga republikanët.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim ligjin dhe të inkurajojmë transparencën maksimale”, tha ajo.
Por ky publikim mund të mos jetë gjithëpërfshirës, pasi agjencia mund të duhet të mbajë të fshehtë materiale që mund të ndikojnë në hetimet e urdhëruara nga Trump ndaj figurave demokrate që lidhen me Epstein. Departamenti do të mbrojë gjithashtu identitetin e çdo viktime të trafikimit seksual, emrat e të cilëve shfaqen në dokumente.
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi me shumicë dërrmuese të martën në favor të një projektligji që i kërkon Departamentit të Drejtësisë të publikojë të dhënat lidhur me Jeffrey Epstein. Projektligji u miratua me shumicë dërrmuese prej 427 votash pro dhe vetëm një kundër.
I vetmi person që votoi kundër ishte përfaqësuesi Clay Higgins, një republikan nga Luiziana, i cili është një mbështetës i flaktë i Trump.